Kreu i SPAK, Klodian Braho, po raporton këtë të mërkurë në Komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, ku u ndal te hetimet për krimin zgjedhor, çështja e zëvendëskryeministres Belinda Balluku dhe hetimet për dosjen e njohur si “Aruba”. Duke folur për krimin zgjedhor, Braho theksoi se fenomeni mbetet shqetësues për Prokurorinë e Posaçme, por nënvizoi se ngritja e akuzave mund të bëhet vetëm mbi bazën e provave.
“Për krimin zgjedhor kemi folur edhe më parë, është një fenomen që neve na shqetëson si prokurori dhe nuk pajtohemi me të. Ka nisur para shumë kohësh. Ajo që duhet të kuptoni është se duhen prova, ndryshe nuk ngremë dot akuza. Ne nuk nisemi me perceptime, por me ato që ka dosja. Në secilën anë të jenë të akuzuarit, do të mbajë përgjegjësi”, u shpreh Braho.
I pyetur për çështjen që lidhet me ish-zëvendëskryeministren Belinda Ballukun, kreu i SPAK u shpreh se institucioni e ka bërë të qartë qëndrimin e tij në Kuvend dhe se nuk mund të komentojë më tej për një çështje që është në hetim.
“Për atë që kemi paraqitur në Kuvend, ne kemi qenë të qartë me qëndrimin tonë. Nuk mund të komentoj më shumë, mbase në vijim të hetimeve mund të ketë një vendimmarrje konkrete. Ne kemi diskutuar edhe me dyer të mbyllura qartë se çfarë kemi kërkuar”, deklaroi ai.
Sa i përket dosjes në lidhje me takimin e famshëm në Aruba, Braho garantoi se SPAK nuk lë pa vepruar asnjë provë që administrohet gjatë hetimeve dhe se të gjitha pretendimet për të kundërtën janë hamendësime.
“Nuk dua të ndalem te çështja konkrete, sepse është në hetim, por ajo që ju garantoj është se nuk mund të ndodhë që në SPAK të ketë një provë në një dosje dhe të lihet aty në gjumë. Këto që thuhen janë hamendësime. Në momentin e mbylljes së hetimeve mund të bëjmë transparencë mbi detaje të caktuara. Për SPAK-un janë të gjithë të barabartë para ligjit”, tha kreu i Prokurorisë së Posaçme.
