Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka dërguar një grup prej tre prokurorësh në Brazil për të hetuar përfshirjen e disa dhjetëra shqiptarëve në linjat e trafikut të kokainës nga Brazili drejt Evropës. Sipas burimeve të gazetares Anila Hoxha, grupi do të marrë pjesë gjithashtu në një konferencë ndërkombëtare.

Gjatë qëndrimit të tyre, prokurorët do të zhvillojnë takime me drejtues të prokurorisë së Brazilit për të ngritur skuadra të përbashkëta hetimore për rastet ku shqiptarët janë të implikuar në trafikun e kokainës. Kjo iniciativë është një vazhdim i bashkëpunimit të mëparshëm mes SPAK dhe autoriteteve braziliane.

Rasti i parë që ka tërhequr vëmendjen e SPAK është ai i 69 kg kokainë të sekuestruar më 18 maj 2021 në anijen “NSC Atros”, e cila kishte origjinë nga porti “Sao Paolo” dhe destinacion portin e Valencias në Spanjë. Pas hetimeve, SPAK ka proceduar disa individë shqiptarë të lidhur me këtë rast, përfshirë Ismail Zenelin, Eralbi Breçanin dhe Ergys Dashin, ndërsa hetimi për Dashi është ndërprerë pas vrasjes së tij në Brazil.

Një tjetër rast i rëndësishëm është ai i ndodhur më 2 Shtator 2019, kur u sekuestruan 617 kg kokainë brenda një kontinieri në Brazil, me pakot e identifikuara me logon e Futboll Club Elbasanit, duke sugjeruar lidhjen e pronarëve të drogës me këtë qytet. SPAK ka marrë gjithashtu dëshminë e bashkëpunëtorit të drejtësisë, Erjon Alibej, i cili ka konfirmuar lidhjen e këtij episode me një grup kriminal në Elbasan.

Takimet e delegacionit të SPAK në Brazil do të fokusohen në këto dy raste dhe forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në luftën ndaj trafikut të drogës.