Gazetarja Anila Hoxha ka dhënë detaje lidhur me ndalimin e Vlora Hysenit në pikën kufitare të Morinës, pasi SPAK i caktoi masën e sigurisë “arrest shtëpie”. E ftuar në emisionin “Top Story”, Hoxha tha Hyseni kishte udhëtuar në Azerbajxhan ku ka pasur në Baku një takim të shefave të SHISH-it të disa vendeve.

Gazetarja thotë se SPAK-u dhe Policia kanë konfirmuar se Hyseni kishte dalë nga Shqipëria pak ditë më parë dhe nuk gjendej në Shqipëri. Madje edhe efektivët e Policisë së Shtetit kanë trokitur në shtëpinë e saj, afër Arenës, por ajo nuk ndodhej aty.

“Ne gjetëm një njoftim hapjeje, ftesë për ofertë, se Vlora Hyseni ka udhëtuar në Azerbajxhan. Duhet të ishte në Tiranë në 00:30 të mesnatës së sotme. Nisja më 22 shtator nga Baku, 2 bileta. Ka pasur në Baku një takim të shefave të SHISH-it të disa vendeve, ku i duhej të merrte pjesë edhe Vlora Hyseni. Ajo që dihet zyrtarisht është që SPAK-u dhe Policia konfirmojnë se ka dalë nga Shqipëria pak ditë më parë dhe nuk gjendej në Shqipëri. Efektivët e Policisë së Shtetit kanë trokitur në shtëpinë e saj, afër Arenës, vetëm për procedurë. Kanë trokitur në derën e banesës, procedurialisht, dhe nuk ka pasur të tjerë. Masa e sigurisë konsiderohet e ekzekutuar në pikën kufitare, ku Vlora Hyseni është paraqitur në pikën kufitare. Pas kthimit, do të shkojë në Drejtorinë e Tiranës dhe më pas do të bëhet kontrolli i banesës”, u shpreh Hoxha.