Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, ka reaguar pas zhvillimeve në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), duke ngritur pretendime mbi mënyrën se si janë zhvilluar procedurat hetimore ndaj tij.

Beqaj deklaroi se Prokuroria e Posaçme (SPAK) nuk ka pranuar asnjë prej 22 kërkesave të paraqitura nga mbrojtja e tij gjatë procesit.

Sipas ish-ministrit, gjatë hetimeve janë evidentuar shkelje të rregullave procedurale, duke ngritur pikëpyetje mbi mënyrën e administrimit të çështjes.

“SPAK konfirmoi shkelje të rregullave procedurale gjatë hetimeve. Të drejtat e të pandehurit nuk varen nga vullneti i prokurorit. Reforma solli pavarësi, por në praktikë edhe anarki procedurale”, tha Beqaj.