Kërkesa e SPAK drejtuar Kuvendit për heqjen e imunitetit parlamentar me qëllim arrestimin e Arben Ahmetajt, i cili akuzohet se ka kryer korrupsion në 6 raste, fshehje e mosdeklarim pasurie dhe pastrim parash, në lidhje me skandalin e incineratorëve, ka qenë e papritur për ish zv.kryeministrin.

Avokati Henrik Ligori i pyetur nga Gazeta Express, nëse Ahmetaj do të jetë nesër në mbledhjen e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, ku do të shqyrtohet kërkesa e SPAK, u shpreh se ende nuk e kanë vendosur. Ai theksoi se kanë bërë një kërkesë që mbledhja të shtyhet me qëllim që të kenë më shumë kohë për t’u mbrojtur.

“Nuk e kemi vendosur akoma nëse do të marrë pjesë zoti Ahmetaj, do ta mendojmë, sepse ka shumë mundësi që nesër të shtyhet mbledhja sepse po kërkojmë më shumë kohë që të mbrohemi”, tha ai.

Ashtu siç cilësohej edhe në kërkesën e SPAK, mbledhja e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin do të zhvillohet me dyer të mbyllura me qëllim respektimin e kuadrit ligjor procedural penal mbi ruajtjen e sekretit hetimor.

Në urdhrin e kryeparlamentares Lindita Nikolla thuhet: “Urdhëroj thirrjen e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, datë 11.07.2023, ora 16:00 në Kryesinë e Kuvendit”.

Rendi i ditës do të jetë “shqyrtimi i kërkesës së Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për dhënien e autorizimi nga Kuvendi për arrestim/heqje e lirisë dhe ushtrimin e kontrollit personal/të banesës së deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, Arben Ahmetaj”.