Pas përfundimit të mbledhjes të Sekretariatit të Etikës, deputetët e PD që janë anëtarë të Këshillit të Mandateve, zhvillluan një mbledhje për të shqyrtuar kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të Zv. kryeministres Belinda Balluku. Gjatë kësaj mbledhje ku munguan socialistët, kreu i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi tha se Gjendja e lirë e të pandehurës paraqit rrezik të vërtetë.

“Njësoj si kriminelët që i fshihen drejtësisë edhe kolegët e mazhorancës janë të fshehur. Kolegët e mazhorancës nuk janë paraqitur në një mbledhje të vlefshme. Pengimi i drejtësisë me urdhër politik të Edi Ramës është akti më i rëndë që ka kryer Kuvend gjatë këtyre viteve demokraci.

Nuk mundet që një kryeministër të urdhërojë deputetët të mbledhë Këshillin e Mandateve. Unë për herë të parë dua tju lexoj pjesë nga kërkesa që SPAK ka sjellë në Kuvend dhe e bëjnë të ngutshme mbledhjen.

Balluku ka interes për të zvarritur çështjen. Pse pesë anëtarë të Këshillit bëhen zëdhënës të një të pandehuri për veprime korruptive që kapin vlerën e 1.1 mld eurove.

SPAK ka argumentuar se “në vijim të hetimeve nga përdorimi i metodave speciale kanë rezultuar të dhëna se nga ana e Ballukut ka ushtruar presion në forma të ndryshme ndaj personit të pyetur, konkretisht një vartësja të saj. Jemi në kushtet e zëvendësimit të masës së sigurimit për Belinda Ballukun. Vlerësojmë se pas caktimit të masës së sigurimit, nevojat e sigurimit janë rënduar ndaj të pandehurës Belinda Balluku. Pasi po kryhen hetime penale për procedura të tjera. Gjendja e lirë e të pandehurës paraqit rrezik të vërtetë. Ekziston mundësia që ajo të asgjesojë ose të prishë provat. E pandehura Belinda Balluku ka bërë përpjekje për të ndikuar tek dëshmitarët. Largimi i të pandehurës është evident”, tha Bardhi.

Në fund të fjalës Bardhi theksoi se mbledhjen do ta thërrasin sërish ditën e premte, pasi sipas tij është urgjente, duke iu referuar edhe kërkesës së SPAK.