Zbardhet shkresa e Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion drejtuar Kuvendit të Shqipërisë për heqjen e imunitetit të deputetes për Belinda Ballukun.
Në shkresën zyrtare të siguruar nga gazetarja e Top Channel Elda Menga, SPAK i kërkon Kuvendit që t’i japin autorizim për arrestimin/heqjen e lirisë së deputetit/ministrit/zëvendëskryeministrit Belinda Balluku.
“Nëpërmjet zëvendësimit të masës së sigurimit personal nga ajo e “Ndalimit të daljes jashtë shtetit” e parashikuar nga neni 233 i K.Pr.Penale dhe “Pezullimit të ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, e parashikuar nga neni 242 i K.Pr.Penale, në atë të arrest në burg/në shtëpi, parashikuar nga nenet 238/237 të K.Pr.Penale, në kuadrin e procedimit penal nr.136 të vitit 2025, të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar”, thuhet më tej në shkresë.
“Gjithashtu, në respektim të nenit 288, pika 2, të Kodit të Procedurës Penale, bashkëlidhur gjeni relacionin e arsyetuar, të shoqëruar me provat përkatëse, si dhe urdhrin për ruajtjen e sekretit hetimor dhe ndalimin e publikimit të akteve, datë 16.12.2025. Duke ju falenderuar për bashkëpunimin”, mbyllet shkresa zyrtare e SPAK.

Top Channel
