SPAK ka dalë me komunikatë zyrtare, ku bën me dije akuzat që rëndojnë ndaj ish kreut të ARRSH, Ervis Berberi, kreun aktual të ARRSH Gentjan Gjyli dhe tre personave të tjerë.
Njoftimi i SPAK:
SPAK vijon akuzat për veprën penale, “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”
Në vijim të njoftimit të mëparshëm të publikuar më 31.10.2025, në kuadër të hetimit të procedimit penal nr.136 të vitit 2025, Prokuroria e Posacme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka ngritur akuza në ngarkim të pandehurve të tjerë; Evis Berberi, Gentian Gjyli, Erald Elezi, Jetmira Dervishi dhe Mirzeta Kashnica, akuzuar për kryerjen e veprës penale, “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 258/2 e 25 i Kodit Penal.
Deri në këtë fazë të hetimeve paraprake, faktet penale, objekt akuze në ngarkim të të pandehurve; Evis Berberi, Gentian Gjyli, Erald Elezi, Jetmira Dervishi dhe Mirzeta Kashnica, kanë të bëjnë me veprimet e tyre në cilësinë e anëtarëve të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, në njërën nga procedurat e prokurimit, objekt i këtij hetimi, “Ndërtimi i tunelit të Llogarasë” në seksionin rrugor Orikum-Himarë, pjesë e autostradës SH8(Vlorë-Sarandë), zhvilluar në datën 11.12.2020 dhe pas anulimit, i rihapur në datën 22.6.2021, me fond limit 18 967 810 952.08 (tetëmbëdhjetë miliardë e nëntëqind e gjashtëdhjetë e shtatë milionë e tetëqind e dhjetë mijë e nëntëqind e pesëdhjetë e dy (pikë) zero tetë) lekë pa TVSH.
Në kohën e kryerjes së veprimeve për këtë procedurë prokurimi, të pandehurit kanë pasur detyrat funksionale, Evis Berberi – Drejtor i Përgjithëm i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Erald Elezi – Drejtor i Drejtorisë së Planifikimit Strategjik dhe Operacioneve në Autoritetin Rrugor Shqiptar, Gentian Gjyli – Drejtor i Drejtorisë së Ndërtimit dhe i Mirëmbajtjes në Autoritetin Rrugor Shqiptar, Jetmira Dervishi dhe Mirzeta Kashnica, specialiste të nivelit të lartë në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.
