Ish-deputetja Monika Kryemadhi ka reaguar ashpër pas shtyrjes së seancës paraprake për dosjen e ish-presidentit Ilir Meta në GJKKO, duke hedhur akuza të forta kundër SPAK dhe Altin Dumanit. Ajo ka pretenduar se organi i akuzës po vazhdon të shantazhojë Ilir Metën dhe familjen e saj, duke vazhduar hetimet, edhe pse dosja është kaluar për gjykim.

“Vazhdon hetimi, nëse dosja hetimore do të ishte mbyllur në 27 korrik, Prokuroria vazhdon e heton, thërret dëshmitarë dhe hetimi për Metën, Kryemadhin, mamanë time etj vazhdon. Dmth se jemi në hetim paraprak dhe arsyeja për të cilën është hetuar në mënyrë të tillë është për të mbajtur Metën në burg, mua dhe familjarët nën presion. Ata që duan ta bëjnë janë ushtarë të bindur të Yuri Kim, edhe pse është në largim e sipër.”, tha Kryemadhi. 

Monika Kryemadhi ka shënjestruar gjithashtu Altin Dumanin, të cilin e cilësoi si një “ushtar të Yuri Kim”, duke e lidhur atë me ish-ambasadoren amerikane në Shqipëri, Yuri Kim, e cila është në fund të mandatit të saj. Ajo ka theksuar se ushtarët e bindur që duan të vazhdojnë këtë hetim janë të influencuar nga përpjekjet politike, edhe pse Kim ka përfunduar detyrën e saj në Shqipëri.