SPAK ka dal me reagim zyrtar në lidhje me urdhër-arrestet e lëshuara për dy gazetarët Artan Hoxha dhe Elton Qyno.

Në reagim, sqarohet roli i gazetarëve në grupin kriminal të Marjus Lulaj, i njohur ndryshe dhe me emrin Suel Çela. Ky i fundit akuzohet se ka synuar të manipulojë perceptimin publik, duke i paraqitur rivalët e tij si të paprekshëm për shkak të lidhjeve të dyshuara që ata mund të kenë me politikën.

Për të arritur këtë, ai ka paguar dy gazetarët Hoxha dhe Qyno, të cilët kanë mbajtur qëndrime në media, si dhe kanë publikuar artikuj dhe video që keq-informonin dhe manipulonin opinionin publik.

Njoftimi i SPAK:

M.L ka synuar të manipulojë perceptimin publik, duke i paraqitur rivalët e tij si të paprekshëm për shkak të lidhjeve të dyshuara që ata mund të kenë me politikën. Trysnia për hetime pasurore në kuadër të OFL-së dhe nxitja e mediave për të marrë dëshmi nga individë që mund të inkriminojnë rivalët e tij do të krijonin, sipas tij, në opinionin publik perceptimin se këta rivalë, për shkak të lidhjeve të dyshuara politike, janë bërë “të paprekshëm”. Kjo strategji, e cila përfshin manipulimin e informacionit dhe ndikimin në opinionin publik, jo vetëm që do të rriste pozitat e tij, dhe në të njëjtën kohë do të dëmtonte interesat e rivalëve.

Dyshohet se këto synime i ka realizuar përmes bashkëpunimit me gazetarët A.H. dhe E.Q, të cilët kundrejt përfitimeve monetare të paligjshme kanë mbajtur qëndrime në media, si dhe kanë publikuar artikuj dhe video që keq-informonin dhe manipulonin opinionin publik.