Ambasadori Gjerman në Tiranë, Karl Bergner ka reaguar pas hapjes sot të garës për të zgjedhur kreun e ri të SPAK. Në një postim në rrjetet sociale , ambasadori gjerman vlerëson punën e Altin Dumanit dhe shprehet se nën drejtimin e tij, SPAK ka dhënë kontribute të jashtëzakonshme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në Shqipëri, çka tregohet edhe nga besimi qytetar dhe partnerët ndërkombëtarë.

“Në vitet e fundit, nën udhëheqjen e Altin Dumanit, SPAK ka dhënë kontribute të jashtëzakonshme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në Shqipëri. Besimi i madh i popullsisë shqiptare dhe partnerëve ndërkombëtarë të Shqipërisë në punën e SPAK e thekson në mënyrë mbresëlënëse këtë”.

Ai bën thirrje për një proces transparent, të bazuar në meritë dhe të lirë nga ndikimi i jashtëm. Sipas ambasadorit gjerman pavarësia e gjyqësorit është kriter kyç për Gjermaninë në lidhje me sundimin e ligjit dhe për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.

“Procesi i nisur sot nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë për të zgjedhur kreun e ardhshëm të SPAK duhet të jetë transparent, i bazuar në meritë dhe i lirë nga ndikimi i jashtëm.

Pavarësia e gjyqësorit, e cila duhet të demonstrohet në procesin e nisur sot, por edhe në veprimet e përditshme të organeve ekzekutive dhe legjislative, është një kriter kyç për Gjermaninë në lidhje me sundimin e ligjit dhe nivelin e përgatitjes së Shqipërisë për anëtarësim në BE.”

Këshilli i Lartë i Prokurorisë hapi sot garën për kreun e ri të SPAK, pasuesin e Altin Dumanit. Me 11 vota pro, në një mbledhje ku kishte edhe përfaqësues të ambasadës amerikane, Ë shpalli vakancën dhe ka 21 ditë kohë për aplikantët.