Prokuroria e Posaçme ka nisur hetimet në lidhje me disa takime të dyshimta që dyshohet se ka zhvilluar kreu i policisë rrugore në Tiranë Roven Zeka me zyrtarë policie, teksa ndodhet në qeli.
SPAK ka marrë deklarimet e të paktën 2 shefave të komisariateve në kryeqytet, ndërsa është sekuestruar edhe një pajisje telefonike. Ndërkohë, edhe një biznesmen ka qenë subjekt i hetimit të prokurores Elida Kaçkini.
Organi hetues ka sekuestruar edhe kamerat e sigurisë, si dhe ka pyetur personat përgjegjës në Bllokun e Sigurisë në “Mine Peza”, për të hedhur më tepër dritë mbi takimet me të paraburgosurin dhe qëllimin e tyre.
Shef i Komisariatit të Policisë Rrugore të Tiranës Roven Zeka bashkë me Sokol Novakun shef i hetimit të aksidenteve dhe oficerin e policisë rrugore Edison Tabaku, ranë në pranga disa ditë më parë në kuadër të një hetimit të SPAK dhe dyshohet se kanë marrë 2 mijë euro ryshfet, për manipulimin e provave për një aksident rrugor, të shkaktuar nga bashkëshortja e biznesmenit Erges Vrioni.
Sipas dosjes hetimore dhe përgjimeve, duke qenë se oficeri Tabaku e njihte biznesmenin Erges Vrioni, bashkëshortin e gruas që bëri aksidentin, i ka kërkuar shuma monetare për të mos e arrestuar Anisa Vrionin.
Një mijë euro i janë dhënë punonjësit të Policise Edison Tabaku, pranë banesës së tij. Vetë Tabaku e ka takuar sërish Erges Vrionin në një lokal pranë komisariatit të Policisë Rrugore dhe i ka kërkuar edhe një mijë euro të tjera, pasi i thotë “kam persona të tjerë mbi kokë”.


