Ish-Presidenti Ilir Meta, ka reaguar pas lajmit se SPAK ka dorëzuar prova të reja në lidhje me procesin gjyqësor ndaj tij. Përmes një mesazhi nga qelia, Meta ka ironizuar këto prova, duke i cilësuar ato si “gënjeshtra” të shpërndara, sipas tij, nga SPAK dhe të lidhura me përfshirjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ai ka theksuar se këto prova janë pjesë e një “agjende të orkestruar”, duke u përpjekur të hedhë dyshime mbi legjitimitetin e hetimeve dhe akuzave ndaj tij. Meta ka vazhduar me kritika për drejtësinë shqiptare dhe për mënyrën se si zhvillohet procesi ndaj tij, duke e konsideruar këtë si një tjetër përpjekje për ta sulmuar politikisht.

REAGIMI
Në respekt të anëtarëve dhe simpatizantëve të Partisë së Lirisë, por edhe të gjithë qytetarëve shqiptarë dua të shpreh përbuzjen time publike për gjoja prova të reja që paskan ardhur nga “Amerika” pas përfundimit të hetimeve.
Kjo gënjeshtër e shpërndarë nga SPAK-u dhe prokurorët e provuar si shkelës të ligjit dhe kamikazë të Kryekleptokratit, Edi Rama është një mashtrim për të justifikuar paraburgimin tim të paligjshëm dhe kriminal, si dhe për t’u dhënë mandate të përjetshme kamikazëve që janë provuar si garantë të pandëshkueshmërisë së Edi Ramës dhe armiq të betuar të opozitës dhe pluralizmit politik.
Shpreh bindjen e plotë se asnjë letërporosi as ka ardhur dhe as mund të vijë që provon shkeljen e ligjeve shqiptare, amerikane apo ndërkombëtare nga Ilir Meta apo pasjen time dijeni për shkelje të tilla të kryera nga njerëz të tjerë në Shqipëri, SHBA apo kudo tjetër.
E kemi thënë edhe më përpara se gjithçka është fund e krye një mashtrim.