SPAK, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, ka zhvilluar një operacion të gjerë për goditjen e një grupi të dyshuar kriminal të përfshirë në trafik lëndësh narkotike dhe pastrim parash në shuma të mëdha.

Në kuadër të aksionit janë lëshuar gjithsej 20 masa sigurie, ndërsa disa prej emrave të njohur të biznesit janë përfshirë në listën e personave ndaj të cilëve janë vendosur masa arresti.

Mes tyre ndodhet biznesmeni Orest Sota, i cili është vënë në pranga. Po ashtu, masa “arrest me burg” janë lëshuar edhe për biznesmenët Artur Shehu dhe Ilir Shtufi, të cilët aktualisht ndodhen jashtë vendit dhe nuk janë ekzekutuar nga autoritetet.

Artur Shehu njihet si investitor në sektorin e ndërtimit dhe si pronar i një pjese të konsiderueshme toke në zonën e Zvërnecit, ku është planifikuar një projekt resorti luksoz.

Ndërkohë, Ilir Shtufi është një emër i njohur në fushën e ndërtimit në Tiranë, i përfshirë në disa projekte të mëdha urbane, përfshirë edhe zhvillimin e një kulle të lartë në kryeqytet.

Në kërkim vijon të jetë edhe Orgec Birçaj, ndërsa hetimet po zgjerohen për të zbardhur rolin e plotë të secilit prej të dyshuarve në aktivitetin e dyshuar kriminal.

Autoritetet theksojnë se operacioni është ende në zhvillim dhe priten detaje të tjera mbi personat e përfshirë dhe rezultatet e aksionit.