Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar pas takimit mes ministrit të ri të Drejtësisë, Besfort Lamallari, dhe kreut të SPAK, Altin Dumani.
Bardhi e cilësoi këtë një veprim thjesht propagandistik, duke theksuar se SPAK nuk ka asnjë lidhje me programin apo prioritetet e qeverisë.
“Marrëdhëniet e drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme me segmente të ekzekutivit, përfshirë Ministrin e Drejtësisë, duhet të bazohen vetëm në ligj. Takime të tilla nuk duhet të shërbejnë për propagandë, sepse SPAK nuk është instrument i qeverisë, por institucioni kryesor për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”, tha Bardhi.
Ai shtoi se askund nuk parashikohet që SPAK të ndajë prioritetet e qeverisë apo të dëgjojë programin qeverisës. “Çfarë lidhje ka SPAK me prioritetet e një qeverie të korruptuar, kur detyra e tij është pikërisht të hetojë korrupsionin qeveritar?”, theksoi Bardhi.
Sipas tij, SPAK nuk është nën varësinë e ekzekutivit dhe nuk duhet të shfaqet si i tillë, sepse pavarësia e drejtësisë duhet jo vetëm të ekzistojë, por edhe të perceptohet nga publiku. “Fotot në zyrën e ministrit dhe njoftimi se janë ndarë prioritetet e qeverisë përbëjnë një akt propagandistik, i paprecedentë më parë”, përfundoi Bardhi.