SPAK do të marrë në pyetje nesër kreun e Partisë së Lirisë Ilir Meta nën cilësinë e personit në hetim në orën 10:00.

Vetë Meta ka reaguar nga qelia, teksa nuk ka kursyer sulmet ndaj SPAK, që e ciëlson “organizatë kriminale”. Ai shprehet se do paraqitet në SPAK, dhe do jetë i hapur edhe për të folut për mediat.

“Sapo mësova nga mediat e regjimit, që nesër unë, lideri i Partisë së Lirisë, forcës së dytë opozitare dhe forcës së tretë politike në vend, qenkam thirrur për t’u pyetur nga organizata kriminale SPAK, e cila firmosi rrëmbimin tim të paligjshëm dhe banditesk. Padyshim që do jem atje për t’i marrë unë në pyetje dhe pas kësaj seance jam i hapur për çdo pyetje nga mediat që do të jenë të pranishme”, Meta.

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta u arrestua më 21 tetor 2024. Ai dhe deputetja Kryemadhi dyshohen se, duke bashkëpunuar mes tyre dhe me funskionarë të tjerë shtetërorë, në disa episode duke nisur nga 15 vite më parë kanë shfrytëzuar postet e tyre shtetërore dhe politike për të favorizuar kompani private, si dhe në veprimtari të tjera me lobime në SHBA dhe shitblerje banesash në këmbim të përfitimit të shumave të konsiderueshme parash, të cilat janë përpjekur t’i fshehin, duke mos i deklaruar në ILDKPI dhe KQZ.