Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka publikuar informacionin zyrtar në lidhje me operacionin e zhvilluar këtë të mërkurë në zonën e Gjirit të Lalzit, ku është goditur një grup i strukturuar kriminal i dyshuar për vrasje me pagesë dhe veprimtari të tjera të rënda penale.
Sipas SPAK, në këtë operacion është zbardhur edhe vrasja e Edmir Bregut, i njohur gjithashtu me emrat Jetmir Bregu dhe Ilir Koçi, një person me precedentë penalë dhe mik i ngushtë i Edmond Çekiçit. Vrasja e tij dyshohet se është porositur nga Astrit Avdylaj, i cili aktualisht ndodhet në burg për çështjen “Revanshi”. Urdhërarresti i ri ndaj Avdylajt është komunikuar në qeli, pasi ai konsiderohet si porositësi i atentatit.
Ekzekutori i dyshuar i vrasjes është nipi i Astrit Avdylajt, Aldo Avdylaj, i cili ndodhet në arrati dhe është shpallur në kërkim nga autoritetet. SPAK bën me dije se janë lëshuar gjithsej 9 urdhër-arreste, nga të cilat 5 janë ekzekutuar me sukses, ndërsa 4 persona të tjerë, përfshirë Aldo Avdylajn, janë ende në kërkim.
Vrasja e Edmir Bregut ndodhi në një moment kur ai ishte i përfshirë në konflikte me grupe të tjera kriminale në zonën e Durrësit dhe Shijakut. Aksioni i fundit i SPAK vjen si pjesë e përpjekjeve të intensifikuara për të goditur aktivitetin e grupeve të rrezikshme kriminale që veprojnë në Shqipëri, të përfshira në vrasje të porositura, përvetësime prone dhe falsifikime dokumentesh.
Hetimet për këtë ngjarje të rëndë vijojnë dhe autoritetet paralajmërojnë zhvillime të tjera në ditët në vijim.