Qeveria spanjolle pritet të miratojë këtë të enjte buxhetin antikrizë për vitin 2013, në të cilin pritet të përfshihen 39 miliardë euro nga shkurtimet në shpenzime dhe nga rritja e taksave.
Masat vijnë në mesin e protestave në rritje dhe zërave se Spanja do të kërkojë ndihmë financiare nga partnerët e saj në eurozonën 17 anëtarëshe. Spanja, borxhet e së cilës janë parë si kërcënim për stabilitetin e eurozonës, është vënë nën presion të madh për të kërkuar pako shpëtimi nga Banka Qendrore Europiane.
Por, një pako e tillë do të nënkuptonte masa të tjera shtrënguese për vendin e goditur tashmë nga recesioni dhe nga papunësia prej 25 për qind. Mijëra protestues janë tubuar afër parlamentit në Madrid për natën e dytë me radhë për të protestuar kundër masave shtrënguese.
Gjatë protestave të dhunshme të së martës, disa dhjetëra vetë u arrestuan, ndërsa policia përdori plumbat plastikë për të shpërndarë turmën që po përpiqej të bllokonte Parlamentin e vendit.
27 shator 2012 (gazeta-Shqip.com)