Kryeministri spanjoll Mariano Rahoj i propozon parlamentit masat e kursimit, pjesë e marrëveshjes me BE
Të paktën 76 persona kanë mbetur të plagosur, mes të cilëve 33 policë, gjatë protestës së zhvilluar nga minatorët spanjollë dhe sindikatat kundër mbylljes së minierave të qymyrit në Madrid. Mediat ndërkombëtare raportojnë se përleshja mes policisë dhe protestuesve ka zgjatur rreth një orë dhe është mbyllur me arrestimin e tetë personave.
“Policia spanjolle ka qëlluar plumba gome ndaj minatorëve që manifestonin në qendër të Madridit kundër mbylljes së paralajmëruar të minierave të qymyrit”, shkruan BBC në edicionin online. Ndërsa sipas France Presse, situata u tensionua në veçanti në zonën Paseo de la Castellana, arteria e madhe që ndan qendrën e Madridit, ku ndodhet dhe Ministria e Industrisë.
Sipas të njëjtit burim, përleshjet janë regjistruar pasi protestuesit kanë hedhur gurë drejt forcave të rendit, duke plagosur dy prej tyre. Më herët, kryeministri i Spanjës, Mariano Rahoj, paraqiti përpara parlamentit masat e reja të kursimit.
Ndër to përfshihet rritja me 3 % e TVSH-së, heqja e bonuseve për punonjësit civilë për Krishtlindje, eliminimi dhe reduktimi i disa taksave si dhe reduktimi i disa benefiteve të të papunëve. Masat e kursimeve janë kërkuar si pjesë e marrëveshjes, sipas së cilës 16 vende të tjera në Eurozonë do t`i japin Spanjës deri në 100 miliardë euro, për t`i shpëtuar bankat e Spanjës të ngarkuara me borxhe.
Kryeministri spanjoll i tha parlamentit se iniciativa duhet implementuar pa vonesë. Paketa e rritjes së taksave dhe tkurrjes së shpenzimeve duhet ta ulë defiçitin me 65 miliardë euro brenda dy viteve të ardhshëm.
11 korrik 2012 (gazeta-Shqip.com)