“Polici”, gjobë tregtarëve, i shantazhonte dhe i kërcënonte me të dashurën


Një polic i rremë është arrestuar në flagrancë, dy net më parë, duke i marrë një tregtari shumën prej 50 mijë lekësh, në formën e gjobëvënies. Spartak Alija, me precedentë të shumtë penalë, kërcënonte dhe shantazhonte disa tregtarë në Tiranë, duke u marrë në mënyrë periodike shuma të konsiderueshme, pasi u prezantohej si “shefi i krimeve”.


28-vjeçari kishte ngritur një skemë për zhvatjen e tregtarëve, duke futur në “lojë” edhe të dashurën e tij, Dhurata Kananaj. Kjo e fundit fuste në kurth “pretë”, duke iu vërdallisur tregtarëve për shumë ditë. Pasi pranonte një “kafe” nga tregtarët dhe takoheshin diku, ndërhynte Alija. Me pistoletë në brez, dokument identifikimi të Policisë së Shtetit dhe një radiomarrëse, 28-vjeçari u kërkonte llogari tregtarëve “përse ngacmonin të dashurën e tij”. Madje, ai i shantazhonte se do t’u hapte edhe procedim penal për shfrytëzim prostitucioni.


Pas këtyre fjalëve, Dhurata kontaktonte tregtarët duke u thënë se “shefi do 50 mijë lekë ta mbyllë këtë muhabet, pasi në të kundërt do të nisë hetimin”. Nga frika e një hetimi, por edhe nga diskreditimi në shoqëri dhe familje, pasi pjesa më e madhe e tregtarëve ishin të martuar, ata pranonin të paguanin një shumë që varionte rreth 50 mijë lekë. Sipas Policisë së Tiranës, kjo skemë ka funksionuar të paktën katër herë, ndërsa vetëm një tregtar ka guxuar ta denoncojë këtë rast.


Denoncimi


Mbrëmjen e së premtes, Komisariati i Policisë nr.4 në Tiranë ka arrestuar dy shtetas, të dyshuar për shtrëngim me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie pasurie. “Kallëzimi penal është nga i dëmtuari, shtetasi K. Merko, 35 vjeç, tregtar, i cili akuzonte për gjobëvënie Dhurata Kananajn, 28 vjeçe, banuese në Tiranë, dhe Spartak Alijan, 28 vjeç, lindur dhe banues në Shkodër, i dënuar më parë për ‘vjedhje me dhunë’ dhe largim i të burgosurit nga vendi i vuajtjes së vendit të dënimit’”, pohojnë burimet nga policia. Sipas tyre, arrestimi u realizua pasi këtyre shtetasve u është dokumentuar tërësisht implikimi në shtrëngim për dhënie pasurie të disa tregtarëve. “Nga shtrirja në kohë e një hetimi intensiv, rezultoi se shtetasi Spartak Alija, shfrytëzonte përmes mashtrimit disa tregtarë, duke u prezantuar shtetasen Dhurata Kananaj. Ai u prezantohej tregtarëve si punonjës policie dhe i kërcënonte më pas ata për dhënie pasurie. Pretendonte se do t’u niste një procedim penal ndaj tyre për shfrytëzim prostitucioni ose prostitucion nëse nuk paguanin gjobën”, thanë burimet policore.


Arrestimi


Komisariati i Policisë nr.4 në Tiranë, mbrëmjen e së premtes, pas marrjes së kallëzimit, filloi punën për zhvillimin e operacionit. Tregtari M. Merko ka kontaktuar me policinë, e cila i ka dhënë kartëmonedha që kapin vlerën e 50 mijë lekëve. Kartëmonedhat janë fotokopjuar dhe u është marrë numri i serisë. Më pas, tregtari, i cili ishte nën presionin e Spartak Alijas, kontakton me gjobëvënësin dhe lënë një vend takimi, në rrugën “Jordan Misja” në Tiranë. Të gjitha lëvizjet e denoncuesit dhe gjobëvënësit janë vëzhguar nga strukturat e policisë, ndërsa operacioni është dokumentuar edhe me një përgjim ambiental. Në vendtakim, tregtari i ka dhënë Spartakut një shumë prej 50 mijë lekësh dhe pas një bisede të shkurtër është larguar nga vendngjarja. Pak çaste më vonë, kanë ndërhyrë agjentët e policisë, duke bërë arrestimin e 28-vjeçarit, i cili sapo kishte takuar edhe Dhurata Kananajn. Të dy janë shoqëruar në ambientet e policisë dhe pasi u janë bërë të ditura provat, i arrestuan me akuzën e gjobëvënies. Policia e Tiranës, në një komunikim zyrtar me mediat, tha dje se “nga organizimi u punës policore u arrit identifikimi i tij dhe kapja në kushtet e flagrancës në afërsi të rrugës ‘Jordan Misja’, përgjatë momenteve të shkëmbimit të parave nga ana e të dëmtuarit”. Tashmë, hetimi për këta dy persona do të ndiqet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. s.ç


 


Kjo skemë ka funksionuar të paktën katër herë, ndërsa vetëm një tregtar ka guxuar ta denoncojë këtë rast


Arratisja: Mësohet se Spartak Alija, pas dënimit të mëparshëm, ka mundur të largohet në mënyrë të dyshimtë nga burgu


Përgjimet: Lëvizjet e denoncuesit dhe gjobëvënësit janë vëzhguar, ndërsa operacioni është dokumentuar edhe me një përgjim ambiental


Paratë: Tregtari i ka dhënë Spartakut një shumë prej 50 mijë lekësh dhe pas një bisede të shkurtër është larguar nga vendngjarja


Arrestimi: Pas marrjes së parave, kanë ndërhyrë agjentët e policisë, duke bërë arrestimin e Alijas, që kishte takuar edhe Dhuratën


Akuza: Hetimet do t’i kalojnë Prokurorisë për Krime të Rënda, për akuzën e “shtrëngimit me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie pasurie”


Sekuestrimet


Gjobëvënësi, pistoletë në brez dhe dokumente policore


Pas arrestimit, agjentët e policisë i kanë gjetur Spartak Alijas disa sende policore. Për të forcuar alibinë e tij se ishte “shefi i krimeve në Komisariatin e Policisë nr.4”, 28-vjeçari mbante edhe një pistoletë.


“Gjatë kontrollit fizik, iu gjetën një pistoletë si dhe sende policore si dokumente policie, tabela, radio etj.”, pohojnë burimet policore, të cilat saktësojnë se dokumentet e policisë ishin të falsifikuara.


Krahas këtyre veprimeve, policia thotë se “u bë sekuestrimi i shumës së parave, që tregtari K. Merko ia kishte dhënë Alijas”.


 


Dosja


Historia e të arrestuarit në vitin 2006, kur grabiti dhe torturoi shoferin Llazi Bullaçi


I arrestuari Alija, nëpërmjet femrave grabiste edhe taksistë


Organizatori i gjobëvënieve ndaj tregtarëve të ndryshëm, Spartak Alija, nuk e kishte për herë të parë që përdorte femra për të realizuar qëllimet e veta. Edhe në dënimin e parë, ai rezulton se ka përdorur një tjetër femër për të kryer vjedhje me dhunë dhe armë ndaj personave të ndryshëm. Kjo vërtetohet nga dosja penale në ngarkim të tij për vjedhjen me dhunë të një taksisti, për të cilën ka marrë një dënim, por që ende nuk e ka kryer të gjithin, pasi burgu i kishte dhënë leje. Pas lejes së marrë, ai nuk ishte kthyer në qeli, duke rifilluar aktivitetin kriminal, pavarësisht se në një formë tjetër.


Në lidhje me rastin e parë, kur ai është dënuar bashkë me një femër për vjedhje me dhunë dhe armë, rezulton se ngjarja ka ndodhur gjashtë vjet më parë. Sipas dosjes penale në ngarkim të tij, më datë 19 tetor 2006, rreth orës 20:30 në afërsi të shkollës “1 Maji”, Spartak Alija, Silvi Bajramaj dhe Imran Huti, pasi kanë hipur si pasagjerë në makinën e të dëmtuarit Llazo Bullaçi, i kanë kërkuar këtij të fundit t’i çonte në hotelin e quajtur “Milano”. Pasi janë nisur dhe kanë shkuar deri në vendin e quajtur “Gurorja” dhe nuk e kanë gjetur hotelin, Silvi Bajramaj i ka kërkuar shoferit që t’i çonte në Dajt, me pretendimin se atje ndodhej hoteli. Nga ana e vet, i dëmtuari nuk ka pranuar dhe e ka kthyer makinën nga rruga. Rrugës për në kthim, tre personat e lartpërmendur i kanë kërkuar shoferit që t’i çonte deri në Sauk. Ai ka pranuar në këtë rast, por kur kanë mbërritur tek kthesa e Karburantit të Vjetër, Silvi Bajramaj i ka kërkuar taksistit që të merrte kthesën e Farkës dhe më pas të merrte një rrugë dytësore. Kur kanë mbërritur në afërsi të rezervuarit, që ndodhet në këtë zonë, Silvi Bajramaj i ka fikur kuadrin e makinës të dëmtuarit si dhe i ka hequr çelësat e makinës. Në moment, i dëmtuari ka dalë jashtë makinës me vrap, ndërkohë që tre personat e ndiqnin pas. Ata kanë filluar ta godasin me grushte dhe shkelma, duke e rrëzuar përtokë. Ndërkohë, i dëmtuari ka mundur t’i marrë Spartak Alijas thikën, të cilën ai e mbante në dorë dhe e ka hedhur diku larg.


Më pas, tre të dyshuarit i kanë lidhur duart me natriban dhe kanë vazhduar ta qëllonin me grushte dhe shkelma. Silvi Bajramaj i ka kërkuar dy të tjerëve që t’i mbyllnin gojën me shirit natribani taksistit, me qëllim që ai të mos bërtiste. Më pas, ajo ka marrë orën e të dëmtuarit, tip “Sektor”, portofolin, brenda të cilit ndodhej një sasi të hollash prej 15 mijë lekësh, si dhe i ka kërkuar dy të tjerëve që të iknin.


Ndërkohë, ajo i ka mbuluar fytyrën shoferit me trikon e tij dhe të tre së bashku, pasi kanë hipur në automjetin tip “Mercedez Benz 200”, me targa TR 9395 F, pronë e Llazi Bullaçit janë larguar nga vendi i ngjarjes. Ndërkaq, Llazi Bullaçi, pasi ka mundur të largohet nga vendi i ngjarjes, ka kërkuar ndihmë në fshatin Farkë, ku pas komunikimit me familjarët e tij, këta të fundit kanë njoftuar organet e policisë. Tri orë pas ngjarjes, policia ka mundur të bëjë ndalimin e tre autorëve, të cilët janë kapur në qytetin e Lezhës, në kohën që ishin duke drejtuar automjetin e vjedhur me dhunë. Duke u bazuar në këto të dhëna, gjykata e ka dënuar Alijan me 9 vjet burg.