Ish-ministrja e Jashtme, Elisa Spiropali zhvilloi sot një takim në Akademinë Politike të Forumit Shqiptar në Podgoricë.

Në një postim në Facebook, Spiropali shkruan se në Podgoricë pa diçka më të madhe se një grup të rinjsh, pa atë që ajo e quajti ‘shqiptari i ri’.

“Shqiptari i ri ka disa misione të tjera, si fitoren e dijes mbi injorancën, të meritës mbi privilegjin, të lirisë mbi nënshtrimin, të punës mbi pritjen”, shkruan Spiropali.

Postimi i plotë:

Zemra mal nga energjia në Akademinë Politike të Forumit Shqiptar, ku pashë diçka shumë më të madhe se një grup të rinjsh.

Ndjeva shqiptarët e rinj.

Nuk është thjesht një moshë, por një mentalitet. Ai djalë e ajo vajzë që nuk e mat veten me sa ka, por me sa di. Që nuk pyet “kë njoh”, por “çfarë mund të ndërtoj”. Shqiptari i ri është modeli që kombi ynë ka pritur me shekuj, por që vetëm sot ka guximin ta kërkojë kryelart. E pashë tek të rinjtë shqiptarë në Mal të Zi, por në fakt ‘shqiptari i ri’ gjendet kudo ka shqiptarë!

Brezat para nesh luftuan për t’u çliruar e mbijetuar. Ata na dhanë gjuhën, flamurin, identitetin, dhe ne u jemi përjetësisht borxhli.

Por shqiptari i ri ka disa misione të tjera, si fitoren e dijes mbi injorancën, të meritës mbi privilegjin, të lirisë mbi nënshtrimin, të punës mbi pritjen.

Ky është dhe vizioni që na bashkon, shqiptarë të një gjaku kudo që rrahin zemrat tona, në Tiranë e në Tuz, në Ulqin, Plavë, Guci, Shkup, Preshevë e në Prishtinë, në çdo skaj të botës.

Të zhvilluar, të lirë. E ardhmja i përket atyre që guxojnë.

Faleminderit Forumit Shqiptar që po e ushqen këtë frymë. Faleminderit shqiptarëve të rinj kudo janë. Ju jeni dëshmia se Kombi ynë nuk ka vetëm të kaluar të lavdishme, por edhe të ardhme që do të na bëjë krenarë.