Deputetja e Partisë Socialiste, Elisa Spiropali, ka reaguar pas zgjedhjes së Justina Shiroka-Pulës në postin e Presidentes së Kosovës.
Në një mesazh urimi, Spiropali e ka cilësuar zgjedhjen e presidentes së re si një moment të rëndësishëm për Kosovën, duke vlerësuar institucionet dhe partitë politike për mënyrën se si, sipas saj, përballuan sfidat politike.
Spiropali shprehet se Shiroka-Pula mund të kontribuojë në afrimin e qytetarëve përtej ndarjeve politike dhe në përfaqësimin e interesave të Kosovës.
Në deklaratën e saj, deputetja shqiptare ka ndalur edhe te procesi gjyqësor në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Ajo thekson nevojën për mbështetje institucionale dhe diplomatike, si dhe për angazhim në aspektin juridik.
“Urime Kosovë!”, shkruan Spiropali, duke shtuar se zgjedhja e Presidentes së re duhet të shërbejë si pikënisje për një etapë të re të bashkëpunimit dhe besimit në vend.
Në fund të mesazhit, ajo i ka uruar sukses Justina Shiroka-Pulës në detyrën e re dhe në përfaqësimin e Republikës së Kosovës.
