Kualifikimi – Akreditimi i spitaleve nga më i miri tek ai që ofron kushtet më të dobëta do të sjellë marrjen e “patentës” për të vijuar për të qenë në treg


Investimi – Ato spitale që do të renditen në gjendje të mirë për të shëruar dhe trajtuar pacientët, do të kenë më shumë investime dhe më shumë para


Akreditimi 


Nis vlerësimi, më pas shqyrtohen ofertat më të mira që qytetarët me sigurime të përfitojnë edhe në privat 


Lorina Mixha


SpitalKëtë vit, spitalet në të gjithë vendin do të duhet të akreditohen, të vlerësohen nga ekspertët e fushës. Më pas, nëse do të kalojnë provën dhe do të marrin pikët e nevojshme, do të marrin para nga Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, i njohur tashmë me emrin Fondi i Madh i Sigurimeve. Ashtu siç ka sqaruar edhe Qendra e Akreditimit të Institucioneve Shëndetësore, këtë vit do të nisë procesi aq i përfolur për vite me radhë që do të bëjë klasifikimin e spitaleve. Pas vlerësimit që do të bëjnë ekspertët në bazë të kontrolleve, inspektimeve dhe sistemit të pikëzimit për higjienë, kushte spitalore, staf të trajnuar, pajisje, infrastrukturë, shërbime të ofruara dhe gjithçka tjetër që lidhet nga hoteleria deri te shërbimi më i specializuar, spitali do të klasifikohet si i mirë, më pak i mirë dhe i shkëlqyer.


Akreditimi


Pa u bërë akreditimi i spitaleve, proces ku do të përfshihen si spitalet publike ashtu edhe ato private, nuk do të mund të bëhet asnjë veprim për sa u takon risive në kujdesin për pacientin.


Pas akreditimit, kur edhe spitalet private të njihen për shërbimin që ofrojnë dhe cilësinë, do të mund të bëhen edhe ofertat e para për t’u trajtuar në privat, me sigurimet shëndetësore që paguan në shtet. Hyrja në fuqi e ligjit të ri për sigurimet shëndetësore në mars të këtij viti bën të domosdoshëm akreditimin e institucioneve shëndetësore për të mundësuar një treg konkurrent shëndeti. Drejtori i Qendrës së Cilësisë, Sigurisë dhe Akreditimit të Institucioneve Shëndetësore, Isuf Kalo, tha se spitalet nuk do të akreditohen nëse nuk kalojnë 70 pikët. Ai sqaron se kur plotësojnë nga 70 deri 80 pikë ata mund të marrin akreditim njëvjeçar dhe ata që kalojnë mbi 80 pikë akreditohen për 5 vjet. Tashmë është përzgjedhur dhe një listë me 17 kritere që duhet të përmbushë çdo institucion shëndetësor si dhe tarifat për akreditimin.


Kriteret


“Është i konfirmuar nga OBSH-ja, kemi një grup vendesh të studiuara dhe ky proces ka dhënë rezultate në përmirësimin e cilësisë. Pacienti që do të dijë të vërtetën dhe nuk do të gënjehet nga reklamat. Ne do kemi në treg spitale të akredituar dhe të paakreditur dhe ata do të ndëshkohen nga tregu”, tha Isuf Kalo, drejtor i QKCSA-ISH.


Ato spitale që do të renditen te shërbimi i shkëlqyer do të marrin më shumë para nga fondi i sigurimeve, pasi shërbimi i tyre do të blihet nga ky institucion. Po ashtu do të ketë më shumë buxhet të ofruar edhe për shkak të kërkesave nga qytetarët për t’u trajtuar në këto institucione. Institucionet me më pak kërkesa, me më shumë probleme, të cilat nuk plotësojnë as kushtet mesatare të vlerësimit sipas 17 kritereve të përcaktuara tanimë nga qendra e cilësisë dhe akreditimit të institucioneve shëndetësore, do të shkojnë drejt reduktimit të shërbimeve apo edhe në mbyllje të tyre. Ndërkohë që ato spitale që do të renditen në gjendje të mirë për të shëruar dhe trajtuar pacientët, do të kenë më shumë investime dhe më shumë para për pajisje, infrastrukturë, personel por edhe shpërblime.


Patenta


Po ashtu, listimi i spitaleve, akreditimi i tyre nga më i miri tek ai që ofron kushtet më të dobëta do të sjellë marrjen e “patentës” për të vijuar për të qenë në treg, për t’u përmirësuar por edhe për t’u mbyllur në rast se lind nevoja. Fillimi i implementimit të ligjit të ri për sigurimet shëndetësore në mars të këtij viti e bën jo vetëm të nevojshëm, por madje të domosdoshëm akreditimin e institucioneve shëndetësore për të mundësuar një treg shëndeti konkurrent, me një blerës që përzgjedh mes ofertuesve shërbimet më cilësore, me kosto efektive dhe më të sigurta për qytetarët.


Sipas ish-ministrit të Shëndetësisë, Vangjel Tavo, kjo synon përmirësimin hap pas hapi të infrastrukturës fizike, infrastrukturës diagnostikuese e mjekuese, trajnimin, kualifikimin dhe edukimin në vazhdim të burimeve njerëzore, duke synuar përmirësimin e vazhdueshëm të cilësisë dhe sigurisë së shërbimeve shëndetësore ndaj qytetarëve.


 


Procesi – Hyrja në fuqi e ligjit të ri për sigurimet shëndetësore në mars të këtij viti bën të domosdoshëm akreditimin e institucioneve


Privatët – Pas akreditimit, kur spitalet private të certifikohen do të mund të bëhen edhe ofertat e para për t’u trajtuar në privat me sigurimet në shtet