Një incident i rëndë është regjistruar gjatë zhvillimit të një seance në ambientet e Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), ku situata ka degraduar në përplasje fizike mes të pandehurve.
Sipas informacioneve të siguruara, konflikti ka shpërthyer pak minuta pasi kishte nisur seanca gjyqësore. Burime pranë çështjes bëjnë me dije se vëllezërit Bushgjokaj janë përfshirë në një konfrontim me Petrit Hoxhën, i njohur ndryshe si Petrit Çakri, për shkak të dyshimeve se ky i fundit kishte bashkëpunuar me autoritetet dhe kishte dhënë deklarime që, sipas tyre, i implikonin në çështje penale.
Përplasja ka qenë e menjëhershme dhe e dhunshme. Gjatë incidentit, Petrit Çakri dyshohet se është goditur disa herë, duke u rrëzuar dhe përplasur në ambientet e sallës së gjyqit. Situata ka detyruar ndërhyrjen e menjëhershme të efektivëve të sigurisë dhe punonjësve të shërbimit të burgjeve për të ndarë të përfshirët dhe për të rikthyer rendin.
Burimet bëjnë të ditur se gjatë ndërhyrjes janë lënduar edhe tre punonjës të togës së shoqërimit të të burgosurve, të cilët u gjendën mes palëve në konflikt në përpjekje për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të ngjarjes.
Për disa minuta, seanca u ndërpre dhe salla e gjyqit u përfshi nga tensione të forta, ndërsa autoritetet po verifikojnë të gjitha rrethanat e incidentit. Pritet që pamjet e sigurisë dhe raportet zyrtare të shërbejnë për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe për marrjen e masave disiplinore apo ligjore ndaj personave të përfshirë.
