Gjykata e Posaçme ka shpallur fajtor dhe ka dënuar me 4 vite burg ish-oficerin e Policisë së Shtetit, Igli Haxhiaj. Ish-oficeri, i akuzuar për tre vepra penale, mes tyre shitja e sekreteve hetimore te një organizatë kriminale, do vuajë 2 vite dhe 8 muaj burgim, duke nisur nga momenti i arrestimit, 27 nëntor 2025, sipas dosjes së SPAK, pasi është gjykuar ne një proces me gjykim të shkurtuar. Gjithashtu i është hequr e drejta e ushtrimit të funksioneve në shtet për 5 vite.
Aktiviteti kriminal i Haxhiajt u zbulua nga përgjimet në platformën “SKY ECC”, ku ai komunikonte me eksponentë kriminalë duke dekonspiruar operacionet e policisë për goditjen e trafikut.
Vendimi i GJKKO-së::
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Gjykimin e çështjes penale në ngarkim të të pandehurit Igli Haxhiaj, i akuzuar për veprat penale të “Shpërdorimi i detyrës”, “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete” dhe “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”, të parashikuar nga nenet 248, 295/a, paragrafi (3) dhe 319/ç i Kodit Penal.
Gjykimi i kësaj ҫështje u zhvillua me rregullat e gjykimit të shkurtuar. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Atalanta Zeqiraj, Marinela Osmani dhe Besmir Stroka, me vendimin nr. 63, datë 30.07.2026 vendosi:
Deklarimin fajtor të të pandehurit Igli Haxhiaj, për kryerjen e veprës penale të “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete”, parashikuar nga neni 295/a, paragrafi i 3 i Kodit Penal dhe në bazë të kësaj dispozite dënimin e tij me 2 (dy) vjet burgim.
Deklarimin fajtor të të pandehurit Igli Haxhiaj, për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”, parashikuar nga neni 319/ç i Kodit Penal dhe në bazë të kësaj dispozite dënimin e tij me 3 (tre) vjet dhe 6 (gjashtë) muaj burgim.
Deklarimin fajtor të të pandehurit Igli Haxhiaj, për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal dhe në bazë të kësaj dispozite dënimin e tij me 2 (dy) vjet e (gjashtë) muaj burgim.
Në aplikim të nenit 55 të Kodit Penal, bashkimin e dënimeve dhe dënimin e të pandehurit Igli Haxhiaj me një dënim të vetëm prej 4 (katër) vjet burgim. 5. Në aplikim të nenit 406 të K.Pr.Penale, të pandehurit Igli Haxhiaj, i ulet 1/3 e masës së dënimit të dhënë, duke u dënuar përfundimisht me 2 (dy) vjet e 8 (tetë) muaj burgim.
Vuajtja e dënimit fillon nga dita e ndalimit më datë 27.11.2025 dhe referuar ligjit nr.81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, duhet të kryhet në një burg të sigurisë së zakonshme.
Bazuar në nenin 35 të Kodit Penal, të pandehurit Igli Haxhiaj i hiqet e drejta për të ushtruar funksione publike për një periudhë prej 5 (pesë) vjetësh.
Shpenzimet e kryera gjatë fazës së hetimit paraprak dhe ato gjyqësore i ngarkohen të pandehurit Igli Haxhiaj.
Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve nga e nesërmja e marrjes dijeni lidhur me vendimin e arsyetuar.
