Sindikata e Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë (SPUSH) i është bashkuar reagimeve kundër dhunës policore ndaj studentëve protestues, duke njoftuar organizimin e një marshimi solidariteti ditën e martë, më 20 tetor.
Marshimi do të zhvillohet në orën 10:00, në sheshin përpara Universitetit Politeknik të Tiranës, nën moton “Stop dhunës ndaj studentëve”.
Në deklaratën e saj, SPUSH shprehet se ka qenë në mbështetje të protestës studentore që prej ditëve të para dhe se po e ndjek me shqetësim situatën e krijuar nga përplasjet me policinë.
Sindikata e cilëson të papranueshme dhunën ndaj studentëve dhe u bën thirrje qytetarëve që t’i bashkohen marshimit, duke e konsideruar pjesëmarrjen një detyrim qytetar dhe njerëzor.
Sipas SPUSH, kjo nismë synon të shprehë solidaritetin me studentët, të mbrojë jetën dhe sigurinë e tyre, si dhe të nxisë dialogun për zgjidhjen e situatës.

