Konfliktet mes nxënësve të shkollave të mesme po shtohen, dhe një ngjarje e tillë u regjistrua të premten në zonën e Vau Dejës.
Pas përfundimit të orëve të mësimit, disa nxënës kishin caktuar takim pranë vendqëndrimit të furgonëve që përdorin për të udhëtuar drejt shkollës dhe për kthim, për të “sqaruar” mosmarrëveshjet mes tyre. Video të siguruara tregojnë dy grupe adoleshentësh që fillimisht përplasen me grushte, ndërsa njëri prej tyre shfaqet duke mbajtur një mjet prerës.
Fatmirësisht, nuk ka pasur persona të lënduar nga mjeti prerës, ndërsa situata u qetësua edhe falë ndërhyrjes së një qytetareje. Policia u njoftua menjëherë, por raportimet tregojnë se ka pasur mungesë bashkëpunimi nga nxënësit dhe drejtuesit e furgonëve.
Sipas informacioneve paraprake, konflikti kishte nisur disa ditë më parë dhe lidhet me një incident të mëparshëm pranë shkollës “Shejnaze Juka” në Shkodër, ku mbetën të plagosur dy adoleshentë.
