Gazetari i “Top Story”, Eraldo Harlicaj, ka zbuluar disa detaje nga ngjarja e rëndë që ndodhi në Maliq, ku mbeti i vrarë polici 34-vjeçar Enea Mekolli dhe u plagos rëndë kolegu 36-vjeçar Edison Adri, teksa autori është Violand Braçellari.

Harlicaj ka treguar se stani ku qëndronte autori i krimit, 43-vjeçari me rrezikshmëri të lartë, ishte i rrethuar me kamera sigurie. Ndër të tjera zbuloi se i ndjeri u qëllua me disa plumba, fatkeqësisht edhe në kokë.

Po ashtu gazetari foli edhe për disa detaje të tjera që ndodhën gjatë operacionit policor, e pas ngjarjes. Policia ka gjetur po ashtu armët që dyshohet se janë përdorur nga  Violand Braçellari, teksa me të qëndronte edhe e ëma.

“Drejtoria e Policisë së Korçës ka marrë informacion se Braçellari është parë në fshatin Lozhan, në Maliq. Ai jetonte në një stan në malin Bode, në Maliq. Forcat e Policisë janë nisur për ta neutralizuar dhe në momentin që e kanë rrethuar dhe i kanë kërkuar të dorëzohet Braçellari ka qëlluar me armë duke vrarë Mekollin dhe duke plagosur rëndë Edison Adrin. Nga shkëmbimi i zjarrit është plagosur dhe vetë Violand Braçellari. Nga burime të ndryshme, bëhet me dije se Enea Mekollari ka marrë disa plumba, ka plumba në trup, ka plumba dhe në kokë, që fatkeqësisht i kanë marrë jetën.

Edison Adri, u nis me urgjencë me helikopter drejt traumës në gjendje shumë të rënduar shëndetësore. Ai iu nënshtrua një ndërhyrje kirurgjikale në nofull. Ka shumë dëmtime në pjesën e poshtme të fytyrës. Momentalisht ndodhet në gjendje stabile, por mbetet në intubim.

Braçellari ka marrë 3 plumba, ka plagë shpuese në bark dhe në krahë, po ashtu dhe në kofshë. Ka dëmtime të shumta në trup, por pasi është stabilizuar fillimisht në spitalin e Korçës, ka arritur koshient te Trauma. Gjendja e tij mbetet ende e rëndë, dhe po vlerësohet nëse do të ketë ndërhyrje kirurgjikale.

Violand Braçellari është një emër shumë i kërkuar në qytetin e Korçës. Ai njihej si një person me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Në dijeninë time ka pasur aksione të vazhdueshme të policisë, forcave RENEA, por dhe forcave operacionale për ta lokalizuar dhe arrestuar, por pa sukses. Stani ku ndodhej, në malin Bode, ishte shumë mirë i studiuar, ka vetëm një rrugë për tu futur në stan, ka kamera sigurie, nuk përdor telefona, me WhatsApp apo aplikacione të gjurmueshme. Prandaj ka pasur vështirësi për ta arrestuar.

Në dijeninë time, ka pasur dhe aksione nga ajri, ulje me helikopter nga forcat RENEA për ta arrestuar, por pa sukses. Me të jetonte nëna e tij. E cila është marrë në pyetje, është izoluar në policinë e Korçës. Ditën e sotme janë gjetur dy armë, kallashnikovi që ka përdorur për vrasjen dhe plagosjen dhe një pushkë.

Violand Braçellari është proceduar dhe dënuar për herë të parë në vitin 2013. Ai është akuzuar dhe dënuar me 3 vite e 4 muaj burg për kultivimin e bimëve narkotike. Më pas është ndaluar në vitin 2015 në një makinë në të cilën ishte pasagjer së bashku me 3 persona të tjerë ku dyshohet se ka pasur lëndë narkotike. Policia nga dyshimet ka bërë kontrolle në banesën e tij ku ka gjetur 10.8 gramë të fshehur në një kalorifer. Në telefonin e sekuestruar kanë gjetur foto, materiale dhe komunikime që përfshinin Braçellari në veprimtari kriminale dhe provonin prezencën e tij”, tha gazetari Harlicaj.