Të dhënat tregojnë një panoramë shqetësuese. Vetëm në përmbarimin gjyqësor shtetëror për muajt janar deri në korrik 2025, janë 60 mijë dosje në ekzekutim. Një pjesë janë për pensionin ushqimor, të tjerë ekzekutim të vendimit të gjykatës për marrjen e fëmijës nga njëra palë, e disa për realizimin e takimeve me fëmijën. Të gjitha, rëndojnë mbi supet e brishta të fëmijëve.

“Kam pasur raste që dosjet kanë qenë edhe në shërbim përmbarimor privat 2-3 vite aty nuk është bërë i mundur ekzekutimi kanë ardhur në përmbarimin Tiranë e kanë dosjen këtu dhe këtu është bërë e mundur marrja e gjithë detyrimeve të prapambetura dhe pastaj ka vijuar me ekzekutimin periodik, mujo. Kur e kam thërritur debitrin në zyrë më ka thënë nuk i derdh detyrimet sepse i merr lekët ajo për ish-partneren”– u shpreh Majlinda Vasili, përmbaruese gjyqësore.

“Deri në korrik të 2025 përsa u përket pensioneve ushqimore janë 8247 çështje që kanë këto objekt nga të cilat 8108 janë në ekzekutim të vazhdueshëm gjithashtu për takim me fëmijët janë 1415 çështje përmbarimore ndërsa kujdestari për fëmiijë janë 58 dosje përmbarimore”- u shpreh Ergys Qirici, Drejtor i Përmbarimit Shtetëror.

Pensioni ushqimor, i cili është detyrim i njërit prind karshi prindit tjetër për fëmijën, i vendos ata në një betejë të ashpër në dyert e përmbarimit. Ish bashkëshortët nuk e shlyejnë këtë detyrim, pasi nuk duan t’i japin para ish bashkëshortes. Në këto kushte ka një procedurë të përcaktuar nga ligji, sipas të cilit bëhet njoftimi dhe i kërkohet prindit të shlyejë detyrimin. Nëse nuk kryhet, bëhet një hetim pasuror. Më pas sekuestrohen pasuritë për t’i nxjerrë në ankand me qëllim për t’i dhënë fëmijës shumën e parave që i detyrohet.

“Vështirësitë më të mëdha janë kur njëri nga prindërit ose pala debitore nuk ka pasuri qoftë kjo pasuri e luajtshme qoftë pasuri e paliuajtshme, vështirësi është kur njëri nga prindërit nuk është në Shqipëri dhe pavarësisht hetimeve të herë pas hershme që bën përmbaruesi nuk i gjendet pasuri“- u shpreh Ergys Qirici, Drejtor i Përmbarimit Shtetëror.

Prindërit duhet të paguajnë detyrimin për fëmijën deri në moshën 25 vjeç, në rast se fëmija ndjek arsimin e lartë, gjë e cila nuk ndodh. Prindi nuk tregon adresën e saktë të vendbanimit, fsheh të ardhurat dhe pasuritë, madje, ka raste që ikën jashtë vendit. Shpesh, ata fshehin pasurinë duke ua kaluar familjarëve të tjerë.

“Ata paguajnë një erë, 5 muaj nuk paguajnë, 1 vit nuk paguajnë, rikujtohet pastaj bën një pagesë përsëri ndërkohë që fëmija shpenzimet i ka mujore”- u shpreh Majlinda Vasili, përmbaruese gjyqësore.

Ministria e Drejtësisë po shqyrton disa propozime që bëjnë fjalë për masa ligjore në rastet kur prindi fsheh të ardhurat apo pronat me qëllim shmangien e detyriimeve ndaj fëmijëve. Dhënia e pensionit përbën vetëm një prej vështirësive. Për realizimin e një takimi me fëmijën, duhet të angazhohen një përfaqësues nga njësia për mbrojtjen e fëmijës, psikologia dhe përmbaruesi.

Prindi që i drejtohet përmbarimit për takim fëmijë ose ekzekutim vendimi për marrjen e fëmijës është I detyruar të paguajë një tarifë prej 40 mijë lekësh për psikologen si dhe 6 mijë lekë për të vënë në lëvizje përmbarimin.

“Ai prind i cili përfiton nga ligji 111 i vitit 2017 për ndihmën juridike të garantuar nga shteti që përfiton avokat falas përfiton përjashtim nga taksat dhe tarifat gjyqësore të bëhet e mundur me amendim në këtë ligj që të përfitojë edhe përjashtimin nga tarifat e psikologut“- u shpreh Ergys Qirici, Drejtor i Përmbarimit Shtetëror.

Kjo pagesë përfshin pjesmarrjen e psikologes në të gjitha takimet deri në normalizimin e plotë të marrdhënieve të dyja palëve dhe gjendjen e qetë të fëmijës. Për pjesën më të madhe të rasteve kjo konsiderohet një tarifë e lartë.

“Për ato palë kreditore ose për atë prind i cili nuk ka mundësi për të parapaguar tarifën e psikologut të ofrohet bonus nga urdhëri i psikologut. Pjesa më e madhe e përmbaruesve mundohen që të kenë një bashkëpunim jo vetëm me kreditorin nër rastin konkret por të ketë një bashkëpunim edhe me njësinë e mbrojtjes së fëmijës ashtu edhe me psikologun i cili është i detyrueshëm nëçdo takim që bëhet ndërmjet palëve për fëmijën”– u shpreh Ergys Qirici, Drejtor i Përmbarimit Shtetëror.