A ka një linjë të përbashkët vepruese mes Rumanisë, Hungarisë dhe Serbisë?


Orban në Hungari, Ponta në Rumani dhe tani vendimi i diskutueshëm për Bankën Qendrore në Serbi. Në juglindje të Europës duket se janë duke u shfaqur karakteristika të një stili të ri politik, me parulla lapidare dhe besim të tepruar tek vetvetja në përpalljen me Brukselin. Fillimi u bë nga Kryeministri hungarez. Ithtarët e Kryeministrit hungarez e brohoritën idhullin e tyre më 15 mars, ditën e festës kombëtare në Hungari. Politikani nacional-konservator Viktor Orbán, foli para Parlamentit, duke iu drejtuar qindra mijëra ithtarëve, që e nderojnë me apoteoza sikur të ishte Mesia. “Liri do të thotë që ne t’i marrim vetë vendimet për rregullat e jetës sonë. Ne vendosim çfarë është e rëndësishme dhe çfarë jo. Ne nuk kemi nevojë të na shtyjnë si gomarët. Ne duam që Hungaria të rrotullohet rreth interesave të veta. Ne nuk duam të kthehemi në koloni.” Një shpallje lufte ndaj kritikëve brenda dhe jashtë vendit. Kur Orbán flet kështu, qeveria e tij ka mbushur dy vjet që ndodhet në pushtet. Në këto dy vjet, Orbán e ka kthyer Hungarinë përmbys, duke e riorganizuar nga e para. Publicisti Paul Lendvai thotë për të: “Ai është futbollist, që kërkon gjithnjë të shënojë gola. Ai është intolerant, i talentuar dhe i uritur për pushtet.” Orbán i ka zënë të gjitha vendet e rëndësishme në politikë dhe në shoqëri me njerëz besnikë të tij. Ai drejton mediat publike me autoritetet e mediave dhe ligjet përkatëse. Qindra gazetarë janë pushuar nga puna. Bankën Kombëtare përpiqet ta fusë në vrazhdë nëpërmjet ligjeve. Makineria e bërjes së ligjeve është grasatuar mirë dhe ndodhet gjithë kohës në lëvizje. Qeveria e tij ka nxjerrë qindra ligje, Parlamenti është kthyer në spektator. Kjo bëhet e mundur, sepse dy të tretat e Parlamentit i ka zënë partia e tij, Fidesz. Ambalazhimi bëhet elokuent dhe me llërët përveshur. “Ata e bëjnë politikën si në këngët popullore. Për ta politika është luftë. Në këtë mënyrë ata kanë anashkaluar BE-në”, thotë publicisti dhe kritikuesi i Orbánit, Rudolf Ungváry. Ndërkohë që merr para nga paratë e BE-së, Hungaria i largohet gjithnjë e më shumë Perëndimit. Pak pas marrjes së postit Viktor Orbán tha para studentëve hungarezë në Transilvani: “Refleksi europianoqendror ka qenë që ne duhet të kopjojmë Perëndimin, i cili transferon tek ne konceptet dhe recetat e veta. Por pishtari i atyre pas të cilëve jemi duke shkuar, është shuar.” Vetë Orbáni është kthyer në mbajtësin e pishtarit për Europën Juglindore. Edhe socialdemokrati rumun Victor Ponta përsërit gati fjalë për fjalë fjalorin e Budapestit. Duke u drejtuar kundër kritikave, kryesisht gjermane, për referendumin e dështuar me të cilin Ponta u përpoq të hiqte nga posti i Presidentit kundërshtarin e tij Basescu, Kryeministri rumun tha: “Edhe në Gjermani njerëzit duhet të votojnë për vendimet politike. Kjo gjë është e lejuar vetëm në Gjermani, kurse ne në Rumani e kemi të ndaluar? Mos jemi gjë koloni ne? Me parulla lapidare Ponta thekson sulmet frontale kundër ligjeve demokratike. Ai ka pushtuar Gjykatën Kushtetuese, ku ka vendosur njerëzit e tij. Më vonë u bë një referendum. Duke i përshtatur listat e zgjedhësve me realitetin, siç u bë e ditur. Presidenti Traian Basescu flet i nervozuar. “Qeveria e ka turpëruar veten para gjithë botës. Ku ka ndodhur në një vend demokratik, që rregullat e një referendumi të ndryshohen më pas?”


Edhe për qeverinë e Beogradit vlen motoja: “Të mësojmë nga Hungaria”. Projektin për ligjin e Bankës Kombëtare serbe, një ligj shumë i diskutueshëm, e ka bërë qeveria në Budapest. Ligji i mundëson qeverisë serbe, të përbërë nga socialistët dhe nacionalistët, që të ketë akses në Bankën Qendrore dhe në rezervat monetare, thonë ata që kritikojnë ligjin. Megjithëse shefja e Bankës, Jorgovanka Tabakovic, përpiqet të largojë dyshimet. “Unë vlerësoj deklaratën e ministrit të Mbrojtjes Vucic, i cili tha se është i interesuar të dijë kush mund të më detyrojë mua të shtyp para ose të harxhoj rezervat monetare. Kjo nuk është në interesin tonë dhe në interesin e Serbisë. Serbia është mbi të gjitha.” Ndryshimi midis Serbisë dhe Hungarisë është se Serbia kërkon të hyjë në BE. Kjo është duke u bërë më e vështirë tani. Po ashtu, bisedimet për marrje kredish nga Fondi Monetar Ndërkombëtar do të vështirësohen.