Policia e Durrësit ka finalizuar fazën e 11-të të operacionit të koduar “Storm”, duke goditur një tjetër rast të ushtrimit të prostitucionit në zonën e Shkëmbit të Kavajës.
Gjatë operacionit, u arrestuan dy shtetase kolumbiane, të dyja 26 vjeçe, të cilat dyshohet se kishin marrë me qira një apartament dhe e kishin përshtatur për ushtrimin e aktivitetit të prostitucionit. Ndërkohë, një 22-vjeçar shqiptar nga Burreli u procedua penalisht në gjendje të lirë për përfshirje në këtë veprimtari.
Gjatë kontrolleve, policia sekuestroi pasaportat e dy shtetaseve të huaja, shuma parash në lekë dhe valutë, tre telefona celularë, karta SIM dhe një bllok shënimesh. Hetimet janë kryer për disa javë me metoda speciale, ndërsa materialet i janë referuar Prokurorisë së Durrësit për veprime të mëtejshme.
