Tiranë
Këshilli bashkiak pritet të miratojë sistemin e pikëzimit për banesat me qira dhe bonuset e strehimit
Lorina Mixha
Qytetarët që jetojnë në Tiranë dhe kanë probleme me strehimin janë me mijëra. Por vetëm një pjesë e caktuar e qytetarëve të cilët nuk kanë as mundësi financiare e as kapital për të bërë përçapjen më të vogël për të qëndruar në një çati të sigurt mund të përfitojnë nga programet e strehimit. Të martën pritet që Këshilli Bashkiak të miratojë sistemin e pikëzimit për programet e strehimit. Ndërkohë që për vitin e ardhshëm janë në dispozicion 400 programe për ndërmjetësim kredish lehtësuese, si një nga programet e strehimit. Bëhet fjalë për ata qytetarë që nuk kanë mundësi të mëdha financiare për t’i krijuar kushte familjes për të blerë një apartament, për të marrë një kredi me kushte normale në bankë, për të paguar një kapital të caktuar parash apo për të lënë kolateral në formë garancie. Bonuset e strehimit i përfitojnë në përgjithësi familjet me probleme financiare.
Sistemi i pikëzimit për personave që do të përfitojnë vitin e ardhshëm bonuse strehimi, kredi të lehtësuara apo banesa sociale do të miratohet nesër nga këshilli bashkiak.
Kategoritë
Përfitojnë nga ky program familjet, të cilat kanë mbetur të pastreha si rezultat i fatkeqësive natyrore dhe përfshirja e tyre në këtë iniciativë. Familjet e strehuara më parë në objekte shtetërore që kthehen në funksionin e tyre të mëparshëm dhe përfshirja e tyre në këtë iniciativë.
Përfitojnë po ashtu familjet që janë në skemën e ndihmës ekonomike, si dhe grupeve të tjera të marxhinalizuara që rezultojnë si të pastrehë dhe përfshirja e tyre në këtë iniciativë. Sipas këtij programi të bashkisë, janë të predispozuar për të pasur një bonus strehimi familjet që rrezikojnë të mbeten të pastreha si rezultat i kushteve të vështira higjieno-sanitare, si dhe kushteve të papërshtatshme të banesës dhe përfshirja e tyre në këtë iniciativë, si dhe familjet që kanë mbetur të pastreha si pasojë e vendimeve gjyqësore, si dhe përfshirja e tyre në këtë iniciativë.
Aplikimi
Aplikimi kryhet nëpërmjet një formulari që tërhiqet në njësinë bashkiake, ku qytetari figuron i regjistruar. Ky formular plotësohet me vërtetësi dhe më pas noterizohet. Më pas, njësia bashkiake përkatëse përcjell këta formularë pranë Drejtorisë së Menaxhimi të Strehimit dhe Shërbimit Social në Bashkinë e Tiranës, ku edhe regjistrohet në bazën e të dhënave elektronike të drejtorisë. Nëpërmjet këtij sistemi, Bashkia e Tiranës ka mundësuar lehtësimin për administrimin e kërkesave për strehim social dhe ofrimin e një shërbimi cilësor, sasior dhe të përpunuar qytetarëve të Tiranës, me anën e të cilit mund të menaxhojë në mënyrë të informatizuar programet e strehimit social gjatë gjithë procesit të tyre administrativ. Në veçanti, programi bën të mundur arkivimin e të dhënave duke filluar nga kërkesat e paraqitura gjatë vitit 2005 e në vazhdim, leximin individual dhe të përbashkët të të dhënave, menaxhimin e dokumenteve plotësuese, aplikimin e sistemit të pikëzimit, formimin e listave të përfituesve. Bashkia e Tiranës është në fazën e grumbullimit, administrimit dhe regjistrimit të këtyre formularëve të strehimit me qëllim rikategorizimin e të pastrehëve në qytetin e Tiranës. Bazuar në kuadrin ligjor të mësipërm, me Vendim të Këshillit Bashkiak pranë Bashkisë Tiranë është ngritur një komision strehimi si organ këshillimor për të gjitha problemet dhe veçantitë që paraqet kjo fushë.
Kategoritë
- Familjet të cilat me Vendim të Këshillit Bashkiak klasifikohen për t’u trajtuar me një nga programet sociale të strehimit janë familjet që:
- Nuk kanë në pronësi një banesë;
- Zotërojnë sipërfaqe banimi nën normat e strehimit të përcaktuara për atë kategori sociale dhe ekonomike, ku bëjnë pjesë këto
- familje;
- Kanë mbetur të pastreha si rezultat i fatkeqësive natyrore;
- Përfshihen në një nga shkronjat “a”, “b”,”c”, vetëm ato familje që kanë të ardhura të pamjaftueshme.
Këshilli Bashkiak
Do të mblidhet ditën e martë, një nga projektvendimet që do të miratohet është edhe sistemi i pikëzimit për programet e strehimit. Merret në shqyrtim projektvendimi: “Miratimi i sistemit të pikëzimit për programin e subvencionimit të familjeve që përfitojnë kredi të lehtësuara nga shteti, sistemin e pikëzimit për programin e banesave sociale me qira, dhe sistemin e pikëzimit për bonusin e strehimit”.