Toçe: Kemi mungesë të instancave të politikave sociale dhe të qëndrueshmërisë politike
Akumulimi i stresit në faza të ndryshme të tranzicionit, duke nisur që nga vitet ’90, bashkë me problemet e ndryshme sociale që kanë pasuar e kanë shndërruar atë në gjendje të shoqërisë shqiptare. Dhe kjo gjendje stresi, për psikologët përkthehet në fazë depresioni dhe shtim të agresivitetit. “Sa më shumë stresi të kthehet në një gjendje, gjendja stresuese çon edhe në episode depresioni të shoqërisë dhe aq më tepër ne do të kemi sjellje deviante, ku futet edhe agresiviteti dhe kriminaliteti”, thotë psikologia Denada Toçe. Psikologët vërejnë me shqetësim mungesën e politikave dhe instancave për rehabilitimin e shoqërisë nga stresi i krijuar nga probleme të ndryshme sociale, si papunësia, lojërat e fatit e të tjera. “Edhe pse nuk kemi studime të mirëfillta që kjo gjendje stresuese ka ekzistuar edhe në të kaluarën, pasi ne kemi kaluar tranzicione njëri pas tjetris. Ne kemi mungesë të instancave të politikave sociale. Çdo tranzicion politik, çdo tranzicion i klasave politike dhe çdo tranzicion që kjo shoqëri përpiqet të mëkëmbet, sepse këto ndryshime nuk kanë një formë rehabilitimi. Pra, shoqëria shqiptare ka një mungesë qëndrueshmërie dhe politike për t’u asistuar këtyre problemeve”, shprehet psikologia Denada Toçe. Shoqëria shqiptare vjen nga një mentalitet diktati dhe patriarkal, e cila manifestohet në dhunë. Për psikologët, dhuna ka ekzistuar dhe më parë, por tanimë ajo thjesht po del më në pah për shkak të rritjes së ndërgjegjësimit për të denoncuar dhe zhvillimit të teknologjisë.