Sezoni me pagesë


Të rinjtë i kërkojnë rektoratit uljen e tarifave. Rregullorja ende “peng”


Shpresa Mezini


Ndonëse ka dy vjet që përflitet se do të hyjë në fuqi një nga pikat e rregullores së Universitetit të Tiranës në lidhje me sezonin me pagesë, mësohet se kjo nuk është vënë ende në praktikë. Burime zyrtare pranë këtij institucioni bëjnë me dije se senati i ka përcaktuar prej më shumë se një viti tarifat që do të duhet të paguajnë studentët për secilin provim, por nuk është miratuar ende rregullorja e brendshme. Studentët, të njohur me çmimet e vendosura nga senati i Universitetit të Tiranës, nëpërmjet një shkrese zyrtare drejtuar rektoratit të këtij institucioni propozojnë uljen e tarifave. Duke qenë se nuk është miratuar ende rregullorja e brendshme, të rinjtë kërkojnë të diskutohen edhe një herë çmimet e provimeve të sezonit me pagesë. Ata mendojnë se hyrja në fuqi e kësaj pike është domosdoshmëri për ta, por kostoja që duhet të paguajnë për zhvillimin e provimeve të mbartura janë të larta. Një pjesë e studentëve kanë përgatitur një shkresë që do ta dërgojnë në rektoratin e UT-së, me shpresën se kërkesa e tyre do të merret në konsideratë. Nga ana tjetër, ka edhe nga ato që mendojnë se tarifat janë të përballueshme. “Për ne është shumë e rëndësishme hyrja në fuqi e sezonit me pagesë, kështu që duhet të biem të gjithë dakord dhe të këmbëngulim që kjo të realizohet. Përpara një kërkese të tillë nuk kemi pse të shfaqim pretendime të tepruara, pasi është në favorin tonë që sezoni me pagesë të bëhet konkret edhe në universitetet publike njësoj si në ato private”, tha një studente, dega Gazetari, viti i tretë.


Tarifat


Çmimet për secilin provim do të vendosen nga strukturat e fakulteteve për çdo degë. Megjithatë, sipas diskutimeve paraprake, mendohet se çmimi dysheme për çdo departament do të nisë nga 2500 lekë të reja. Saktësisht dhe konkretisht për çdo provim do të vendoset nga strukturat vendimmarrëse të secilit fakultet. Koha e sezonit të provimeve me pagesë, mënyra se si do të organizohet ky proces dhe sasia e parave që do të derdhet nga secili student para shlyerjes së provimit, në sezonin me pagesë, do të përcaktohet në çdo rregullore të brendshme të fakultetit.


Universiteti i Tiranës ka miratuar rregulloren, e cila i mundëson studentit të drejtën të përsërisë të njëjtin provim deri në tri herë brenda një viti, ose katër për studentët që janë në vit të fundit. Për herë të parë përcaktohet që, përveç tri sezoneve tradicionale, mund të shtohen edhe dy sezone të tjera në prill dhe dhjetor, me propozimin e këshillave studentore, që janë me pagesë, ndonëse kjo e muajit prill nuk është provuar ende. “Studenti ka të drejtë të japë provim në tri sezone të rregullta: sezonin e verës, vjeshtës dhe dimrit. Në raste të veçanta, me kërkesë të këshillit studentor mund të hapen edhe dy sezone (dhjetor dhe prill), për të cilat ata u nënshtrohen tarifave për shërbimin e ofruar”, thuhet në rregulloren e miratuar të UT-së.


Ajo që dihet me siguri është se në rregullore kjo pikë është e përcaktuar qartazi, madje edhe e sqaruar konkretisht për të interesuarit, por ajo që nuk dihet ende është data apo muaji kur kjo metodë e re do të praktikohet edhe në institucionet e larta publike, jo vetëm në ato private.


Projekti


Risia e dhënies së provimeve në sezone shtesë është pëlqyer si ide nga pjesa më e madhe e studentëve që në muajin prill të vitit 2010, kur ky vendim u propozua për t’u ardhur në ndihmë të rinjve. Një vit më parë, kur kjo ide u bë publike, parashikohej që përfshirja e sezoneve shtesë do të përcaktohej në rregulloren e secilit fakultet nga vetë institucionet, praktikë e njëjtë me ato të sezoneve “klasike”. Në rregullore do të përcaktohet qartë edhe çmimi për çdo provim që duhet të paguajnë studentët, të cilët kërkojnë të ritestohen për një lëndë të caktuar. Deri më tani kjo lloj metode është aplikuar vetëm në universitetet private, por mësohet se do të vihet në zbatim edhe në institucionet publike, ndonëse kjo pikë e rregullores duhet të kishte hyrë në fuqi një vit më parë.