Aksidenti i Himarës


Vajzat takohen me përfaqësuesit e kompanisë. “Florije Peci nuk do të dëmshpërblehet”


Gubere dhe Peci nuk dëmshpërblehen, pasi kompania thotë se ka mbuluar shpenzimet e spitalit


Nga njëzet studentet e mbijetuara nga aksidenti, vetëm një prej tyre pranon dëmshpërblimin


Bardha Nergjoni


Vajzat e aksidentuara ne HimareNjëzet vajzat e mbijetuara në aksidentin tragjik të Himarës shprehen se kompania e sigurimeve po tallet me to, pasi kanë vendosur për dëmshpërblim një shifër qesharake. Vetëm një prej tyre ka pranuar të marrë dëmshpërblimin e dhënë nga kompania e sigurimeve, ndërkohë që të tjerat shprehen se do të vijojnë protestat e tyre, derisa të vlerësohen për dëmet e shkaktuara nga aksidenti i rëndë në Himarë. Ndërkohë, dy vajzat e kuruara në Austri pas aksidentit, pasi përfunduan në koma, pikërisht Eriselda Gubere dhe Florije Peci, nuk do të përfitojnë asnjë dëmshpërblim, pasi kompania shprehet se ka mbuluar shpenzimet e tyre gjatë kurimit jashtë vendit.


Ato janë paraqitur dje në zyrat e kësaj kompanie, ku janë njohur me shumat e përcaktuara për to si dëmshpërblim. Por, pasi kanë mësuar vlerën e dëmshpërblimit, vajzat kanë refuzuar të firmosin dokumentet, duke deklaruar se shifra e vendosur ishte qesharake. Ato shpjegojnë se do të vazhdojnë rrugën e protestave, nëse shuma nuk ndryshon. E vetmja që ka pranuar dëmshpërblimin ka qenë Blerina Cereni, e cila ka përfituar vlerën 990 mijë lekë të reja. Ndërkohë, të gjitha vlerat e tjera të dëmshpërblimit, sipas të mbijetuarave, kanë qenë disa herë më të vogla. Alma Dedja, një prej vajzave që ka pësuar dëmtime të konsiderueshme, e cila ka probleme me ecjen dhe ende shenjat e aksidentit në fytyrë, ka mësuar se vlera e dëmshpërblimit është 400 mijë lekë. “Na pritën në një nga zyrat e tyre dhe secilës i komunikuan shumën që do të përfitonte. Mua më thanë se shuma është vetëm 4 milionë lekë të vjetra. Kjo shumë është përcaktuar, pasi sipas tyre nuk kemi dëmtime aq serioze. Unë nuk e pranova këtë shumë, pasi për mua është tallje. Të mbetem sakate e të marr 4 milionë lekë. Kjo është vërtet një fyerje. Doja të ikja jashtë shtetit për të bërë ndërhyrje kirurgjikale, pasi këtu dihet si është, por me këto para nuk mund të bëj asgjë. Për këtë arsye nuk i pranova”, është shprehur studentja Dedja.


Por si ajo, në përfundim të gjitha vajzat kanë dalë të pakënaqura, pasi kanë mësuar shumën e dëmshpërblimit. Sipas tyre, dëmshpërblimi është shumë i vogël dhe askush nuk e merr parasysh gjendjen e tyre. “Ka pasur raste kur janë vlerësuar me 250 mijë lekë të vjetra, kur vetëm trauma që ka pësuar nuk vlen aq pak. Pasi pashë shifra të tilla vendosa të mos e mësoj fare shumën që më është ofruar”, ka deklaruar Griselda Zeneli, duke u shprehur se ajo, bashkë me vajzat e tjera do të protestojnë vazhdimisht deri në arritjen e asaj që është e drejtë. Vajzat shprehen të gjitha se nuk janë dakord me shumën dhe se do të protestojnë, duke filluar që sot në Universitetin e Elbasanit, me qëllim që të bëhet rishqyrtimi i dosjeve të dëmshpërblimit nga kompania siguruese. Sipas tyre, ekzistojnë deklaratat e kompanisë që shuma totale e dëmshpërblimit është 150 milionë lekë të reja. Ato deklarojnë se kompania duhet të bazohet në këtë shumë dhe të bëjë edhe ndarjet përkatëse, në bazë të dëmeve që ka pësuar çdo studente.


Mësohet se dy vajzat që përfunduan në gjendje kome dhe u mjekuan në spitalin austriak, Eriselda Gubere dhe Florije Peci, nuk do të përfitojnë dëmshpërblim, pasi kompania është shprehur se ka mbuluar shpenzimet e tyre në spital. Kjo mësohet nga shoqet e tjera, të cilat janë interesuar pranë kompanisë, ndërkohë që familja e Florije Pecit ka denoncuar një skandal, duke pretenduar se e aksidentuara, gjatë kurimit në Austri, është abuzuar seksualisht dhe për pasojë është në muajin e shtatë të shtatzënisë. Aktualisht, prokuroria ka hapur hetim për këtë rast, por deri më sot hetimet kanë ecur me hapa të ngadaltë dhe ka pak shpresa për zbardhjen e kësaj çështjeje.