Një tjetër protestë e studentëve shqiptarë është paralajmëruar në Shkup, ku të rinjtë do të kërkojnë zhvillimin e provimit të jurisprudencës edhe në gjuhën shqipe.
Tubimi pritet të mbahet më 18 maj 2026, në orën 16:30, pranë Ura e Gurit, ndërsa organizatorët kanë bërë thirrje për pjesëmarrje masive përmes rrjeteve sociale.
Me sloganin “Bashkohuni me studentët, të gjithë një zëri”, protestuesit thonë se synojnë të mbrojnë të drejtën e përdorimit të gjuhës shqipe në provimet profesionale dhe në institucionet arsimore.
Kjo çështje ka ngjallur reagime edhe në politikë. Pak ditë para protestës ka reaguar publikisht edhe Pandeli Majko, i cili ka shprehur qëndrimin e tij lidhur me kërkesat e studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut.
Statusi i Majkos
Në Maqedoninë e Veriut ka nisur një lëvizje studentore, e djemve dhe vajzave të shqiptarisë!
Studentët shqiptarë kërkojnë të drejtën më të vjetër në botë, atë të gjuhës amëtare! Ata kërkojnë që gjuha e provimit në jurisprudencë të jetë në gjuhën shqipe! Të studjosh shqip dhe të japësh provimin në maqedonisht, fyen inteligjencën më naive!
Kryeministri Mickovski ka deklaruar se do të “pyetet” Komisioni i Venecias për përdorimin e gjuhës shqipe!… Shteti që ndroi emrin dhe flamurin, ka vendosur “të pyesë” se cfarë të bëj me fëmijët e shqiptarëve!
Askush në Maqedoninë e Veriut, të ardhmen e ndritshme në Bashkimin e Europian, nuk mund ta kthejë për shqiptarët, në të kaluarën e errët të Jugosllavisë së dikurshme!
Protesta e studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut është refuzim i një sistemi që e ka humbur kontrollin mbi vetveten dhe zbatimin e ligjit!
Kjo që po ndodh, është më shumë se një revoltë studentësh! Ajo është një betejë për të ardhmen.
Protestoni sot! Ajo refuzon luftën nesër!
