Është rikthyer dhe njuëherë në vëmendje rasti i helmimit të studentëve të Akademisë së Sigurisë disa ditë më parë, ku të ftuar ishin ekspertët e sigurisë ushqimore Granit Sokolaj dhe Ana Vuksani.

Granit Sokolaj u ndal te provimi i rëndësishëm që studentët kishin ditën e premte në Akademinë e Policisë.

Ai tha se provimi ishte i vështirë dhe u shty, duke shtuar se të gjithë studentët kanë kaluar situata të ngjashme kur duan që ndonjë provim shtyhet apo ndryshohet bëjnë dallavere.

 “Ditën e premte studentët e Akademisë së Policisë, Akademisë së Sigurisë, kishin një provim shumë të rëndësishëm dhe të vështirë. Të gjithë ne kemi qenë studentë dhe kemi bërë ndonjë dallavere, si të shtyjmë ndonjë provim apo të gjejmë mënyra të tjera për ta kaluar. Ata kishin një provim të vështirë, i cili u shty. Pse të mos e besojmë këtë, kur ju në media u besoni vox pop-eve apo komenteve në rrjetet sociale.” – tha Granit Sokolaj.

Ndërkohë, Ana Vuksani e quajti këtë një “teori konspirative”. Ajo kritikoi institucionet përgjegjëse për sigurinë ushqimore, duke thënë se kanë dështuar të gjejnë shkakun e helmimit dhe për pasojë kanë humbur besueshmërinë e publikut. Vuksani shtoi se edhe kryeministri dhe ambasadori i BE-së e kanë pranuar hapur se niveli i sigurisë ushqimore në vend është problematik dhe se autoritetet kanë bërë më shumë dëm sesa kanë garantuar siguri.

Sipas saj, siguria ushqimore nuk është thjesht një çështje teknike që zgjidhet me letra, por kërkon veprime konkrete dhe masa të qarta. Vuksani theksoi se Autoriteti Kombëtar i Ushqimit nuk ka arritur të listojë masat e duhura dhe të kryejë kontrollet e nevojshme për të gjetur shkakun e helmimit.

“Faktin që institucioni ka dështuar për të gjetur shkakun, të lutem, për të gjetur shkakun dhe për të besuar publiku. Publiku shqiptar e ka humbur besueshmërinë te institucioni dhe e ka humbur edhe vetë kryeministri, e ka humbur edhe ambasadori i BE-së. Të dy me gojën e tyre, të zezë në të bardhë, thanë: zoti kryeministër tha siguria ushqimore në këtë nivel që është, është e panegociueshme dhe institucioni përgjegjës më shumë ka bërë dëm se sa ka garantuar sigurinë. Dëgjova me shumë vëmendje në konferencë edhe ambasadorin e BE-së që tha: siguria ushqimore nuk është një çështje teknike dhe nuk bëhet me letra, duhen vepra. Ne jemi profesionistë të fushës, gazetarë, dhe listojmë të gjitha gjërat, ndërsa një autoritet kombëtar i ushqimit që konsiderohet si autoritet i sigurisë së vendit nuk është në gjendje të listojë të gjitha ato masa që duhet të ishin marrë dhe të fillonte të bënte atë çekimin. Nuk është kjo, nuk është kjo, nuk është kjo për të gjetur shkakun”, tha Vuksani.