Protestuesit kanë vendosur të “shënojnë” në mënyrë të veçantë ditën e 40 të protestës qytetare në kryeqytet. Disa të rinj kanë shpërndarë hallvë për pjesëmarrësit që ndodheshin në shesh, duke shpjeguar se sot është dita e 40 pas vdekjes së frikës që sipas tyre, nuk i lejonte shqiptarët të protestonin.
“Janë të 40-at që shqiptarët kanë vrarë frikën. Ka vdekur frika te ne, dalim për atë që mendojmë se duhet dalë dhe kështu do të bëjmë deri në fund. Ndoshta për disa mund të jetë ditë zie, por për ne është ditë gëzimi. Ju ftojmë kush do të provojë pak nga hallva që kanë përgatitur studentët jeni të lirë”, tha studenti.
Qytetarët protestojnë prej 40 ditësh për gjendjen sociale dhe ekonomike të vendit, e po ashtu kundërshtojnë ndërtimin e projektit të resortit luksoz në Zvërnec e ishullin Sazan.
