Me një numër më të vogël pjesëmarrësish dhe pa incidente, protesta studentore vijoi edhe këtë të martë në kryeqytet.
Të rinjtë e nisën ditën me marshimin në disa prej universiteteve të Tiranës, ku hynë në auditorë për të sensibilizuar studentët dhe për t’i bërë thirrje bojkotit të procesit mësimor. Kërkesa e tyre kryesore mbetet largimi nga detyra i kryeministrit Edi Rama.
Marshimi vijoi më pas drejt Ministrisë së Arsimit, ndërsa një tjetër ndalesë ishte selia e Partisë Demokratike. Përpara kësaj të fundit, protestuesit drejtuan thirrje edhe në adresë të opozitës.
Në vijim, studentët u zhvendosën drejt Kryeministrisë, ku përfunduan tubimin e ditës. Ndryshe nga protestat e mëparshme, në bulevard u vu re një prani e kufizuar e forcave të policisë, ndërsa situata përgjatë gjithë marshimit mbeti e qetë.
