Kush nuk fitoi të drejtën e shkollimit, datat dhe kriteret për t’u regjistruar


Lorina Mixha


Studimet me korrespondencë për të gjithë ata studentë që nuk kanë konkurruar në Maturën Shtetërore të këtij viti apo për ata që nuk u shpallën fitues, do të nisin më shpejt se vitet e kaluara.


Pas datës 13 shtator, kur të jetë publikuar libri i transparencës, fituesit e fazës së parë të regjistrimeve në universitete do të nisin edhe procedurat e tjera të pranimeve të studentëve, në ciklet e tjera të studimit.


Sipas Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, do të ketë një mundësi të dytë për të gjithë ata studentë që nuk u shpallën fitues në fazën e parë dhe do të ketë rishpërndarje të kuotave menjëherë pas mbylljes së fazës së parë të regjistrimeve. Universitetet do të dërgojnë relacionin për vendet bosh e më pas do të bëhet edhe rishpërndarja e këtyre vendeve, duke sjellë në “lojë” Formularin A3. Do të jetë Ministria e Arsimit ajo që do të vendosë sesa herë do të bëhet rishpërndarja. Por këtë vit, ndryshe nga më parë, korrespondenca pritet të fillojë në muajin tetor dhe jo në dhjetor. Kriteret dhe kërkesat që duhet të plotësojnë kandidatët që do të aplikojnë në këtë sistem studimi janë propozuar nga dekanatet që në fillim të muajit gusht. Ndërkohë që datat e aplikimit për korrespondencën do të jenë pas 15 shtatorit, dhe fazat e tjera të rishpërndarjes së kuotave deri në fillim të tetorit. Universiteti me numrin më të madh të kuotave part time është ai i Tiranës.


Kriteret


Ata që do të favorizohen për studimet me korrespondencë, do të jenë kryesisht të rinjtë dhe kandidatët që nuk janë shpallur fitues në Maturën Shtetërore. Do të favorizohen në listat e para maturantët që kanë dhënë provimet me detyrim, matematikën dhe letërsinë. Kriteret do të jenë të afërta me ato që respektohen për pranimin në programet respektive me kohë të plotë. Sipas Universitetit të Tiranës, nuk do pranohen aplikime nga kandidatë të shpallur fitues me Formularët A2 dhe A3 të regjistruar në listat përfundimtare. Kuotat e miratuara me vendim të Këshillit të Ministrave do të përdoren në masën 80 për qind për studentë që nuk janë regjistruar në asnjë program studimi, ose nuk kanë përfunduar një të lirë, me kohë të plotë, ose të pjesshëm. Në masën 20 për qind si program i dytë studimi universitar.


Po ashtu për shumicën e degëve që kanë më shumë kërkesa, si në rastin e Juridikut, Shkencave Sociale, por edhe Ekonomikut, përveç kritereve të tjera do të jetë vendimtare për pranimet, mesatarja e tre viteve të shkollës së mesme. Ndërkohë që pas mbylljes së fazës së parë të regjistrimeve do të ketë faza të tjera aplikimi deri në plotësimin e kuotave të miratuara nga Këshilli i Ministrave.


Kuotat


Sipas vendimit të qeverisë, kuotat për part-time do të rishpërndahen, që do të thotë se do të përfitojnë nga këto të drejta studimi të gjithë ata studentë që ndodhen poshtë vijës së fituesve të fazës së parë. Të drejtat e studimit për korrespondencën nuk do të digjen, por do t’u jepen kandidatëve që ndodhen me më pak pikë, por që kanë aplikuar, deri në plotësimin e tyre përfundimtar. Janë mbi 10 mijë të drejta studimi për sistemin part-time dhe për sistemin e studimeve në distancë.


“Rishpërndarja e kuotave të paplotësuara kryhet nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, duke marrë parasysh edhe kërkesat e institucioneve publike të arsimit të lartë”, thuhet në vendimin e Këshillit të Ministrave, miratuar pak kohë më parë.


 


Kriteret


Kandidatët të mos kenë fituar në ciklet e studimit me kohë të plotë


Të mos jenë shpallur fitues me Formularët A2 dhe A3


Të kenë dhënë provimet me detyrim letërsinë dhe matematikën


Mesatarja e tre viteve të shkollës do të aplikohet në rastet e degëve me shumë kërkesa si Juridiku, Shkencat Sociale, Ekonomiku


Të mos jenë përfshirë në procesin e Maturës Shtetërore, në rastin e të rinjve që nuk janë shpallur fitues vitet e kaluara