Eksperti kritikon laikët dhe lavdëron Kushtetutën e re të Egjiptit


Demonstruesit e zemëruar po protestojnë ndaj projektkushtetutës së re të Egjiptit. Por studiuesi Björn Bentlage mendon se Kushtetuta është në fakt demokratike dhe kritikon opozitën për faktin se nuk ka shprehur asnjë shqetësim konkret. Eksperti foli në një intervistë për “Deutsche Welle”.


Egjipti po përjeton ditë shumë të turbullta, duket se e ardhmja e Egjiptit po vendoset tani. Si e karakterizoni ju këtë fazë?


Përfundimisht kjo është një periudhë vendimtare e tranzicionit të trazuar. Gjëra që ne (në Europë) i marrim si të mirëqena, thjesht nuk funksionojnë në Egjipt, përfshirë edhe sundimin e ligjit apo rendin publik. Ka pasur debat pas dekretit të Presidentit Morsi në fund të nëntorit dhe disa thonë se dekreti e ka bërë atë diktator dhe e ka vendosur mbi sundimin e ligjit. Por situata ka qenë problematike prej shumë kohësh, që kur Këshilli Ushtarak shpërndau parlamentin. Që nga ajo kohë, nuk ka pasur qeveritarë të zgjedhur demokratikisht. Ligjshmëria e vendimeve të gjykatave ndërkohë që kemi vetëm një Kushtetutë tranzicioni, është shumë e dyshimtë.


Çfarë drejtimi po merr Morsi aktualisht me politikat e ndjekura gjatë javëve dhe muajve të fundit?


Ne vetëm mund të hamendësojmë. Shpjegimi më i logjikshëm duket se ai dëshiron të mbrojë Asamblenë Kushtetuese nga ndonjë vendim për shpërbërjen e saj në Gjykatën Kushtetuese. Vendimi pritej të merrej në dhjetor. Gjykatësit do të qenë në gjendje ta jepnin vendimin e tyre nëse dëshironin, pavarësisht protestave jashtë gjykatës. Kjo do të thoshte se procesi i tranzicionit do të duhej të fillonte nga zero. Institucioni i vetëm i zgjedhur do të mbetej Presidenti. Përshtypja ime është se Morsi po përpiqet t’i japë fundi periudhës së tranzicionit, megjithëse vendimet e tij janë disi të ashpra dhe nuk kanë instinktin politik. Kjo ishte ndoshta për shkak të lodhjes, ndoshta për shkak se ai ishte nën presion të rritur si pasojë e përplasjes për pushtet me ushtarakët dhe me pjesë të sistemit të drejtësisë.


Do të ketë një referendum mbi projektkushtetutën. Çfarë mendimi keni për këtë projekt?


Megjithëse aty ka disa referenca islamike, në përgjithësi është një dokument i pranueshëm, në bazë të së cilit një demokraci laike mund të qeverisë. Nuk ka dhunime të tepërta. Disa pasazhe duken disi konservatore nga pikëpamja shoqërore. Por dikush mund të ketë nevojë për një Kushtetutë krejt të ndryshme si bazë për ndërtimin e një shteti islamik, një teokracie apo një diktature politike.


Në tërësi është një dokument i balancuar, për shembull kur vjen puna te balanca e pushtetit, mbrojtjes së të drejtave të individëve, ndërtimit të shtetit apo sistemit juridik. Mund ta quash një sukses të madh për demokracinë dhe sundimin e ligjit në Egjipt.


Por Kushtetuta është kritikuar si tepër konservatore…


Ka shumë fragmente që përshkruajnë një rol lehtësisht patriarkal të shtetit, veçanërisht kur bëhet fjalë për politikat e familjes dhe ato shoqërore. Synimi është për të theksuar vlerat dhe për të ruajtur moralin e publikut. Por këtë duhet ta shohësh bashkë me të drejtat individuale, të cilat Kushtetuta i garanton dhe që u përgjigjen standardeve ndërkombëtare. Por në tërësi, kjo Kushtetutë do të rigjallërojë proceset politike, të cilat janë aktualisht të bllokuara.


Çfarë roli ka luajtur opozita laike?


Opozita laike dhe liberale refuzon të bashkëpunojë. Që nga fillimi, opozita bojkotoi Asamblenë Kushtetuese. Bojkoti dikur ishte një mjet normal për konfrontim politik me autokratikun Mubarak. Në tërësi mund të kritikosh liberalët dhe laikët për refuzimin për të bashkëpunuar në mënyrë konstruktive. Ata e justifikuan refuzimin e tyre me shqetësime tepër të përgjithshme dhe jo me kritika për pika konkrete të kushtetutës.


Vëllazëria Myslimane dhe Salafistët përbëjnë dy grupimet më të mëdha brenda përfaqësuesve të zgjedhur. Çfarë do të thotë kjo për shoqërinë egjiptiane?


Shoqëria egjiptiane është shumë e larmishme. Ka lagje në Kajro apo në qytete të tjera të mëdha ku njerëzit rriten me një kulturë të globalizuar. Ata shohin të njëjtat filma me të rinjtë në Gjermani; dëgjojnë të njëjtën muzikë dhe kanë të njëjtin model flokësh. Por shumica është konservatore dhe shumë fetare. Këta njerëz nuk marrin pjesë në të njëjtën përmasë në diskursin publik apo politik. Nëse dëshiron me të vërtetë të lëvizësh drejt demokracisë, atëherë duhet të pranosh lëvizjen islamike dhe partitë si organizma me një shkallë të lartë ligjshmërie dhe që rrjedhimisht do të përbëjnë edhe shumicën në proceset vendimmarrëse. Unë shoh një problem themelor në anën e liberalëve dhe laikëve: frikën dhe refuzimin e tyre për islamikët, gjë që mund të sjellë konflikte të mëtejshme.