Mot i keq me rreshje shiu dhe erë të fortë ka përfshirë mesditën e sotëm vendin. Nga reshjet është prekur edhe Lezha, teksa në Shëngjin, rrugët janë pushtuar nga uji, duke u kthyer në rrjedhë lumi.
Pjesë të rëndësishme të Lezhës, përfshirë bulevardin “Gjergj Fishta” dhe bllokun e banimit “11 Janari” në lagjen Besëlidhja, janë goditur nga nivele të larta uji që kanë arritur deri në 30 centimetra. Ky fenomen ka bllokuar hyrjet e pallateve dhe ka vështirësuar lëvizjen e automjeteve dhe këmbësorëve.
Ditën e djeshme u paralajmërua se vendi do goditej nga një stuhi tropikale, me reshje intesive dhe erëra të forta. Sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, reshje intensive priten në qarqet Lezhë dhe Durrës. Ndërsa, në qarqet Shkodër, Dibër, Tiranë, Vlorë dhe Gjirokastër priten reshje mesatare deri lokalisht intensive, në qarkun Kukës priten reshje mesatare, ndërsa në qarqet e tjerë priten reshje të dobëta deri lokalisht mesatare.
Si pasojë e motit me shi, është ndaluar pajisja me leje-nisje e mjeteve lundruese dhe ato të peshkimit në të gjithë bregdetin e vendit.



