Stuhia e fuqishme që përfshiu juglindjen e vendit ka shkaktuar dëme të konsiderueshme në disa zona të Elbasanit, Korçës dhe Pogradecit. Reshjet intensive të shiut, të shoqëruara me erë të fortë dhe shkarkesa elektrike përmbytën biznese e ambiente private, ndërsa rrugë të ndryshme u mbuluan nga uji, duke vështirësuar qarkullimin.
Mesohet se në disa zona pati edhe ndërprerje të energjisë elektrike, ndërsa autoritetet ndërhynë për normalizimin e situatës. Ndërkohë, rrufetë shkaktuan dëme edhe në sektorin e blegtorisë, ku disa krerë bagëti u goditën dhe ngordhën.
Ekipet në terren po verifikojnë dëmet e shkaktuara nga moti i keq, ndërsa banorët dhe bizneset e prekura po përballen me pasojat e stuhisë. Meteorologët paralajmërojnë se kushtet atmosferike pritet të mbeten të paqëndrueshme edhe në orët në vijim.
