Në seancën e fundit plenare para përfundimit të mandatit, deputeti Dashnor Sula mbajti një fjalim lamtumire, duke bërë me dije se për katër vitet e ardhshme nuk do të jetë pjesë e Kuvendit të Shqipërisë.
Gjatë fjalimit të tij, Sula u shpreh se nuk largohet si një “servil” apo “lëpirës”, por me krenari dhe me bindjen se ka qenë zëri i qytetarëve, sidomos i atyre që kanë besuar tek ai.
“Kjo është seanca e fundit për katër vitet e ardhshme. Unë ndihem krenar dhe them që dal nga ky parlament jo si një servil apo një lëpirës. Kam denoncuar dhe kam ngritur zërin për mungesën e infrastrukturës në bashkinë Peqin dhe Elbasan. Kam denoncuar mungesën e subvencioneve për bujqësinë. Kam denoncuar zbrazjen e fshatrave në Shqipëri. Kam denoncuar i vetëm kontrabandën e naftës. Për të gjithë sa më sipër kam pasur shifra konkrete. Kjo më ka ndihmuar që si një deputet “katundar” të jem zëri i atyre që besojnë te unë,” tha ai.
Sula gjithashtu falenderoi administratën e Kuvendit dhe të sallës plenare për bashkëpunimin gjatë katër viteve të mandatit të tij, duke theksuar se largimi i tij nuk është një lamtumirë, por një mirënjohje për kohën e kaluar së bashku.
Ai përfundoi duke premtuar se do të vazhdojë të jetë pranë qytetarëve dhe do të punojë për ta, pavarësisht se nuk do të jetë më pjesë e Kuvendit.
“Do vazhdoj çdo ditë, sa të kem frymë, që të jem zëri i atyre që më kanë mbështetur,” u shpreh deputeti Sula.
