Prokuroria e Posaçme ra ditën e sotme pre e një sulmi kibernetik, teksa dy persona kanë arritur të depërtojnë në sistemin e brendshëm të postës elektronike.

Mësohet se dy personat e arrestuar për ndërhyrje në e-mailet e prokurorëve të posaçëm, tentuan të futen edhe në adresën e kreut të SPAK, Altin Dumani. Sipas njoftimit zyrtar të SPAK, nga verifikimet ka rezultuar se është ndërhyrë vetëm në adresat e e-maile-ve të disa prokurorëve, por jo në sistemin e përgjithshëm të IT-së të institucionit.

Personat përgjegjës kanë arritur të marrin disa informacione, pa mundur të sigurojnë akses në dosje hetimore. Po ashtu, ata kanë tentuar të ndërhyjnë edhe në email-in e Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, por pa sukses.