Policia e Vlorës prangos 3 persona. Mes tyre, një i plagosur që kërkohej për drogë
Një postbllok policie ka rënë pre e një sulmi me armë nga disa persona, që udhëtonin me dy makina, por fatmirësisht nuk është lënduar ndonjë nga uniformat blu. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në një fshat të Vlorës dhe pas përplasjes me armë, policia ka mundur të arrestojë tre prej të dyshuarve dhe të shpallë në kërkim disa të tjerë. Madje, një nga të ndaluarit është i plagosur. Policia dyshon se grupi merrej me grabitje të ndryshme, ndërkohë që ka edhe të dënuar për vepra të ndryshme penale.
Postblloku i policisë është qëlluar me armë zjarri mbrëmjen e së hënës rreth orës 23:00, në afërsi të fshatit Sherishtë në Vlorë. Efektivët e policisë kanë kërkuar të ndalojnë një automjet Benz dhe një Land Rover që po udhëtonin me shpejtësi. Pas rreth 100 metrash, ata janë ndalur, por sapo është afruar makina e policisë është qëlluar 5 herë në drejtim të saj nga drejtuesi i makinës Land Rover. Menjëherë, efektivët e policisë kanë komunikuar me kolegët e tyre të vendosur në një tjetër pikë kontrolli, e cila ka bërë ndalimin e të dy mjeteve që po lëviznin njëri pas tjetrit në drejtim të Vlorës. Në atë moment, personat e mjetit Land Rover kanë përfituar nga errësira duke ndryshuar drejtimin e rrugës dhe janë larguar duke braktisur makinën.
Ndërsa në makinën tip Mercedes Benz janë ndaluar tre persona, njëri prej tyre i plagosur me armë zjarri në shpatull. Ai është Martin Hitaj, i cili pretendon se është plagosur në fshatin Kotë, duke mos dhënë më shumë detaje për atë që ka ndodhur. Madje, policia ka kryer disa verifikime, por ka ngritur dyshimet se i riu nuk ka treguar të vërtetën për rrethanat e plagosjes. Po ashtu, 35-vjeçari rezulton i shpallur në kërkim dhe i dënuar me gjashtë vite burg në Itali për “trafikim narkotikësh”. Dy të ndaluarit e tjerë janë Ilir Birçaj, 46 vjeç, dhe vëllai i tij 37-vjeçar Vasil Birçaj, të dy banues në Vlorë.
Në dy automjetet e bllokuara, policia tha se ka sekuestruar dy automatikë model 56, një sasi e madhe fishekësh të llojeve të ndryshëm, maska dhe doreza. Policia thotë se këta persona janë me precedentë të lartë kriminalë dhe anëtarë të një grupi të dyshuar për kryerjen e veprave të ndryshme penale brenda dhe jashtë vendit. Pista kryesore e policisë është përgatitja e grupit të mësipërm për kryerjen e një grabitjeje me armë zjarri dhe me maska për të fshehur identitetin e tyre. Pak orë më vonë, policia ka bllokuar edhe një makinë të tretë, ndërkohë që ka identifikuar disa të dyshuar, të cilët janë shpallur në kërkim policor. Burimet policore mendojnë se kur janë larguar, ata kanë marrë me vete edhe një pistoletë, me të cilën mendohet se është qëlluar policia, kështu që janë konsideruar me rrezikshmëri të lartë. Në këto kushte, në kërkimet për ta janë përfshirë edhe forcat speciale, por deri mbrëmë nuk ka pasur informacion për arrestimin e ndonjërit prej tyre.