Pas ngjarjes tragjike të ndodhur në Gjykatën e Apelit të Tiranës, ku gjyqtari Astrit Kalaja u vra brenda sallës së gjyqit nga një prej palëve në proces, Prokuroria e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm ka reaguar zyrtarisht.

Në deklaratën e saj, institucioni shpreh ngushëllime të thella për familjen dhe kolegët e gjyqtarit, ndërsa dënon ashpër aktin kriminal që tronditi sistemin e drejtësisë.

Reagim i Prokurorisë së Apelit

Prokuroria e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e tronditur nga ngjarja kriminale që solli humbjen e jetës së gjyqtarit Astrit Kalaja, shpreh dhe përcjell ngushëllimet më të sinqerta për familjen, të afërmit dhe kolegët e tij.

Trupa e prokurorëve dënon me forcë këtë akt kriminal ndaj gjyqtarit të nderuar Astrit Kalaja, një figurë e respektuar e sistemit të drejtësisë dhe një profesionist i palodhur në shërbim të ligjit dhe qytetarëve, dhe njëkohësisht dënon çdo akt dhune që cënon figurën e magjistratit, sepse sulmi ndaj tij është një sulm i drejtëpërdrejtë ndaj shtetit të së drejtës.

Kjo ngjarje duhet të jetë një këmbanë alarmi për pasojat që sjell përdorimi i gjuhës së urrejtjes, denigrimit të figurës së magjistratit dhe mungesën e theksuar të respektit ndaj veprimtarisë gjyqësore.