Pesë të dyshuarit si organizatorë të atentateve të 11 shtatorit 2001 rrezikojnë dënimin me vdekje


U hap në Guantanamo procesi gjyqësor ndaj pesë organizatorëve të dyshuar për atentatet e shtatorit 2001. Khalid Shaikh Mohammed, njeriu i cili u vetëshpall “truri” i sulmeve” , Aziz Ali, Walid Muhammad Salih Mubarak Bin Attash, Ramzi Binalshibh e Mustafa Ahmed Adam al-Hawsawi do të dalin sot përpara gjykatës ushtarake amerikane të burgut të Guantanamos, nëntë vjet pas arrestimit të tyre. Ata akuzohen për vrasjen e 2.976 personave dhe nëse shpallen fajtorë, rrezikojnë dënimin me vdekje. “Gjyqi i shekullit” parashikohet të zgjasë më shumë se një vit. Seancat gjyqësore, në të cilat do të marrin pjesë 60 gazetarë të autorizuar nga qindra familje të viktimave, do të transmetohet drejtpërdrejtë, ndërkohë që katër ekrane gjigandë do të vendosen në katër baza ushtarake amerikane. Pesë personat e akuzuar si organizatorë të sulmeve të 11 shtatorit 2001, akuzohen se kanë përzgjedhur dhe stërvitur 19 kamikazët që kryen sulmet në Kullat Binjake dhe Pentagon, si dhe rrëmbyen avionin e “United 93” në Pensilvani. Krerët e akuzës do të përqendrohen të vërtetojnë akuzat për: terrorizëm, rrëmbim avioni, komplot, vrasje duke thyer ligjet e luftës. Pas polemikave për çështjen e të drejtave të të ndaluarve dhe mundësisë që ata të gjykoheshin nga një gjykatë ushtarake, prokurorët amerikanë po përpiqen të tregojnë se sistemi juridik ushtarak, i kërkuar nga administrata Obama, respekton standardet ndërkombëtare. Rregullat e reja të miratuara së fundmi nga Kongresi amerikanë ndalojnë marrjen parasysh të dëshmive dhe provave të marra në kushtet e torturimit të të burgosurve.


5 maj 2012 (gazeta-Shqip.com)