Pas 10 ditësh ndjekjeje intensive, autoritetet kanë arrestuar në Abu Dhabi të Emirateve të Bashkuara Arabe Altin Sinomatin, shtetas shqiptar i kërkuar nga Drejtoria Rajonale Antimafia në Itali. Ai akuzohet si porositësi i vrasjes së bashkëkombësit Selavdi Shehaj, i njohur me nofkën “Passerotto”, ngjarje e ndodhur më 20 shtator 2019 në plazhin e Torvaianicas.
Sipas hetimeve, vrasja lidhet me një larje hesapesh në kuadër të përplasjeve mes klaneve kriminale që veprojnë në trafikun ndërkombëtar të drogës, dhe që kanë përdorur metoda tipike mafioze në kryerjen e atentateve.
Sinomati u identifikua falë bashkëpunimit ndërkombëtar policor dhe hetimeve të përbashkëta të karabinierëve italianë me autoritetet vendase. Provat e mbledhura më herët kishin treguar se ekzekutori i vrasjes, Raoul Esteban Calderón — tashmë i dënuar me burgim të përjetshëm edhe për eliminimin e Fabrizio Piscitellit (“Diabolik”), ish-udhëheqës i tifozëve ultras të Lazios — kishte vepruar me porosi të Sinomatit, kundrejt një pagese prej 150 mijë eurosh.
Në të njëjtat hetime përfshihet edhe Giuseppe Molisso, një tjetër emër i njohur i trafikut të drogës në Romë, i cili është lidhur së fundmi me sulmin ndaj gazetarit investigativ Sigfrido Ranucci, drejtues i emisionit Report. Ngjarja ndodhi të enjten e kaluar në mbrëmje, pranë banesës së tij në Campo Ascolano, një zonë e qetë pranë Torvaianicas, duke shtuar dyshimet për ndërthurjen e botës së krimit me përpjekjet për të frikësuar median investigative.