Detaje të reja kanë dalë në dritë nga sulmi i rëndë në Lavrio të Greqisë, ku një grua 32-vjeçare dhe partneri i saj 33-vjeçar mbetën të plagosur me thikë. I dyshuar për ngjarjen është ish-partneri i gruas, një shtetas rumun 32 vjeç.

Familjarët e gruas pretendojnë se sulmi nuk ishte spontan, por ishte përgatitur më parë. Sipas versionit të tyre, i dyshuari kishte shkuar pranë banesës së çiftit i pajisur me një shkallë, të cilën dyshohet se e përdori për të arritur në ballkon dhe për të hyrë në banesë.

Pikërisht ky element ka bërë që të afërmit ta konsiderojnë ngjarjen si një veprim të paramenduar.

Por familja ngre edhe një tjetër pikëpyetje: përse 32-vjeçari ndodhej i lirë, kur ndaj tij ishin bërë kallëzime të mëparshme dhe kishte pasur probleme me drejtësinë?

Një prej të afërmve të gruas shprehu frikën se edhe pas këtij episodi i dyshuari mund të përfundojë sërish i lirë pas disa vitesh.

Sipas familjarit, konfliktet nuk kishin nisur me sulmin e fundit. Ai pretendon se sa herë ndodhnin incidente, çështja denoncohej në polici, por masat e marra nuk kishin qenë të mjaftueshme për ta mbajtur 32-vjeçarin larg ish-partneres.

“Ai kaloi nëpër një gjyq në fillim të shtatorit dhe u lirua”, deklaroi ndër të tjera familjari, duke kritikuar mënyrën se si ishte trajtuar më parë rasti.

Ndërkohë, një familjar i të dyshuarit ka dhënë versionin e tij për atë që ndodhi gjatë sulmit.

Sipas tij, objektivi kryesor i 32-vjeçarit dyshohet se ishte partneri aktual i gruas. Ai pretendon se gruaja ndërhyri mes dy burrave në përpjekje për të penguar sulmin dhe për këtë arsye mbeti edhe ajo e plagosur.

Nga ana tjetër, policia greke ka dhënë sqarime lidhur me historikun e çështjes dhe procedurat e ndjekura ndaj të dyshuarit.

Sipas burimeve nga ELAS, 32-vjeçari ishte arrestuar më 3 shtator. Në atë kohë, prokuroria ishte informuar edhe për një incident të mëparshëm, në mënyrë që ky element të merrej parasysh gjatë vlerësimit të çështjes.

Pas shqyrtimit të rastit, prokurori kishte vendosur që i dyshuari të lirohej nën masa kufizuese.

Një prej kushteve të vendosura ndaj tij ishte ndalimi për t’iu afruar banesës së ish-partneres në një distancë më të vogël se 100 metra.

Sulmi i fundit ngre tashmë pikëpyetje edhe mbi respektimin e kësaj mase, pasi i dyshuari pretendohet se jo vetëm është afruar pranë banesës, por ka përdorur një shkallë për të arritur deri në ballkonin e saj.

Autoritetet greke po vijojnë hetimet për të rindërtuar të gjithë dinamikën e ngjarjes dhe për të përcaktuar rrethanat në të cilat u plagosën 32-vjeçarja dhe partneri i saj.